Eurodeputetja italiane për “Ora News”: Qytetarët janë të lodhur nga politikat e gabuara që po zbehin forcën e Evropës
Sot është dita e tretë e zgjedhjeve për Parlamentin Europian dhe po mbahen zgjedhje në disa shtete të BE-së si në Itali, Sllovaki, Letoni, Maltë dhe Çeki.
Për të mësuar më shumë mbi këto zgjedhje e ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte eurodeputetja italiane Anna Cinzia Bonfrisco.
“Ne presim një rezultat të mirë në këto zgjedhje nga ana e qytetarëve evropianë të cilët janë të lodhur nga politikat e gabuara që janë duke zhbërë forcën e Evropës.
Ata kërkojnë që të zgjerohet hapësira e Bashkimit Evropian dhe në veçanti vetë Shqipëria që nesër të jetë një vend i rëndësishëm në mbrojtjen e kufijve të vetë Evropës.
Problemi kryesor është të luftojmë emigracionin e pakontrolluar dhe që aleanca Itali – Shqipëri është një aleancë që i jep më shumë siguri Mesdheut. Ne shpresojmë që qendra e djathtë mund ta shpëtojë Evropën nga një e majtë ekstreme e ngjashme me komunizmin dhe kjo mund të bëhet përmes një aleance të fortë edhe me vendet e Ballkanit e veçanërisht me Shqipërinë, ku marrëveshjet mes tyre janë shumë domethënëse në këtë drejtim”, u shpreh ndër të tjera eurodeputetja italiane Anna Cinzia Bonfrisco.


