STERILIZIMI/ Shoferi le në “baltë” Rjepajn, dëshmia në SPAK: Me urdhër të shefit e me makinën e shtetit shëtita në Prishtinë italianët dhe shqiptarin
Vladimir Isufi, shoferi i ish zv/ministrit të Shëndetësisë Klodian Rjepaj, është thirur në SPAK duke dëshmuar se ka qënë në vitin 2014 në Kosovë, në një udhëtim me dy italianë dhe një shqiptar.
Isufi i ka treguar oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, se këtë udhëtim ai e ka kryer me urdhër dhe dijeni të zv/ministrit Rjepaj.
“…nuk mund të lëvizte makina me targë TR 4112 R pa dijeninë e Klodian Rjepaj…”, ka treguar shoferi i këtij të fundit.
Dëshmia e shoferit Vladimir Isufi është marë nga SPAK pasi hetuesit kanë vërtetur se në 12 dhjetor 2014, në bordin e kësaj makine kanë udhëtuar drejt pikës kufitare të Morinës duke dalë në Kosovë, dy shtetasit italianë, Gianni Bidini, Vanessa Rossi dhe shqiptari Ilir Rrapaj, që një vitë më vonë do bëhej pronari kryesor i kompanisë konçesionare të sterilizimit “Sani Service”.
Isufi ka treguar se gjatë kësaj periudhe ka qënë shoferi personal i Klodian Rjepaj, kur ky i fundit ka shërbyer si zv/ministër Shëndetësie.
“…Dy italianët dhe shqiptarin i kam çuar në Universitetin e Prishtinës. Unë çdo lëvizje me automjet e kam bërë në dijeni dhe pasi të më thoshte zëvendës ministry. Mbaj mend se jemi nisur urgjent dhe se shpenzimet me karburant i kanë kryer udhëtarët, pasi e kanë furnizuar mjetin në Kosovë…”- ka treguar shoferi Vladimir Isufi.

Më tej Isufi ka pohuar se nuk kishte dijeni se çfarë lidhje kishin dy italianët dhe shqiptari me Ministrinë e Shëndetësisë. Mjeti me të cilën kanë lëvizur dy vizitorët është në pronësi të Ministrisë së Shëndetësisë.
Gianni Bidini është një nga autorët e studimit të kryer nga Universiteti i Peruxhias, që më vonë është bërë pjesë e studimit të fizibilitetit të Koncensionit objekt hetimi.
Ai bashkë me Ilir Rrapaj kanë qenë pjesë e takimeve të përbashkëta me Ministrin e Shëndetësisë dhe Zëvendës Ministrin e Shëndetësisë në lidhje me takimet me Universitetin e Peruxhias dhe Rajonin e Umbrias.
I gjithë tereni është përgatitur prej tyre qysh në vitin 2014, duke e shitur si një proces të sukseshëm.
Por që një vit më pas e gjithë praktika është fituar prej tyre, duke çuar në një dëm kolosal të parave publike dhe futur në kolaps sistemin shëndetësor shqiptar.