Familjarisht kontrabandistë, arrestohet shoferi i Ardi Veliut dhe gruaja e tij, Ora News e paralajmëroi në 2 nëntor

Deri në këto momentin SPAK, ka konfirmuar arrestimin e ish-shoferit të Drejtorit të AMP-së Ardi Veliu, Sokol Idrizi dhe gruas së tij. “Ora News” ka mësuar se bëhet fjalë për një dosje të cilën televizioni e ka raportuar qysh prej datës 2 nëntor 2022, periudhë kjo kur ende ky operacion nuk ishte bërë publik.
Mes personave të arrestuar janë 18 vetë, ku një pjesë e tyre janë punonjës policie të Drejtorisë së Kufirit në Policinë e Shtetit, në policinë kufitare të Durrësit dhe Hanit të Hotit.
Në 2 nëntor 2022, “Ora News” paralajmëroi hetime për kontrabandonin e mallrave si bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë, të cilat ishin vjedhur në Francë dhe vende të tjera të Evropës. Ja çfarë shkruante në atë periudhë gazetari i “Ora News” Elton Qyno për këtë çështje:
Prokuroria e Posaçme SPAK, ka nisur një hetim për trafikimin e sendeve me vlerë që dërgoheshin përmes çantave nga Franca në drejtim të Shqipërisë.
Hetimi që ka marrë spunto nga disa informacione të sjella nga autoritet e Drejtësisë Franceze, ka vendosur në verifikim dhe shoferin personal të Ardi Veliut, i cili më parë ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Ndërsa aktualisht mban postin e Drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, pranë Ministrisë së Brendshme.
Sokol Idrizaj, së bashku me persona të tjerë në Shqipëri, janë duke u hetuar nga SPAK, pas dyshimeve të forta se janë implikuar në trafikimin e sendeve me vlerë si flori, ora dhe bizhuteri të ndryshme që mendohet se vinin me çanta nga territori Francës.
Në kuadër të këtij hetimi, SPAK pak kohë më parë ka ushtruar një kontroll në banesën e Sokol Idrizaj, me shpresën e gjetjes së sendeve me vlerë apo çdo provë që mund ta implikonte totalisht. Por nga ky kontroll mësohet se oficerët e BKH-së nuk kanë mundur të gjejnë sende kompromentuese.
Njëherësh SPAK, ka ushtruar kontrolle dhe në banesat e disa personave të tjerë, që janë pjesë e verifikimeve dyshuese si të përfshirë në trafikimin e sendeve me vlerë.
Për shkak të kësaj dosje penale, “Ora News” mëson se Ardi Veliu ka pezulluar nga funksioni, shoferin e tij personal, deri në një moment të dytë kur situata penale e tij të sqarohet plotësisht nga SPAK. Sipas të dhënave hetimore, emri i Sokol Idrizaj shoferit personal të Ardi Veliut, ka dalë si pritës i disa çantave të dërguara nga Franca në drejtim të Shqipërisë.
Idrizaj është marrë në pyetje dhe ka treguar para oficerëve të BKH-së, rrethanat e pritjes së këtyre dërgesave.
Ndaj tij, por edhe personave të tjerë të dyshuar nga SPAK, deri në këtë fazë ku ndodhen hetimet, nuk është marrë asnjë masë ndaluese.
Nga Franca, këto çanta mësohet se janë dërguar nga vajza e Idrizaj që jeton dhe studion në Francë.
Tashmë SPAK së bashku me homologët e tij në Francë, janë duke kryer verifikime për të mësuar dhe mbledhur fakte rreth këtij trafiku të sendeve me vlerë, që dyshohet se janë grabitur nga shqiptarë të ndryshëm në Francë dhe transportohen në rrugë të ndryshme në Shqipëri.

