Softa: Veprimet e policisë në kampin e MEK-ut, ligjore. Iranianët reaguan dhunshëm sepse kishin diçka për të fshehur

Me urdhër të SPAK, Policia e Shtetit konfiskoi ditën e djeshme  serverët e muxhahedinëve të MEK-ut në Manzë.

Por kontrolli nuk u prit mirë nga iranianët, të cilët kundërshtuan me dhunë policinë dhe tentuan të djegin provat.

Në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News” dhënë gazetares Katerina Hysenllari, eksperti i Sigurisë Fatjon Softa theksoi se policia ishte në kampin e iranianëve të MEK-ut në zbatim të një vendimi të Gjykatës, duke ushtruar të drejtën e saj në përputhje të plotë me ligjin.

“Duhet të theksojmë se Policia e Shtetit ka qenë atje në zbatim të një vendimi të Gjykatës, nuk ka qenë atje thjesht një kontroll rutinë, synimi i të cilit ishte kontrolli, verifikimi dhe sekuestrimi i disa pajisjeve kompjuterike, si dhe për të shqëruar disa persona të dyshuar për aktivitete jo ligjore.

Pra Policia e Shtetit ka zbatuar detyrën e saj dhe numri i saj ishte i mirëllogaritur në proporcion me numrin e objekteve dhe personave që janë atje.

Për këtë ata kanë pasur komunikim me 6 drejtuesit kryesor të kampit dhe i kanë paraqitur vendimin për ushtrimin e funksionit të tyre për të ushtruar kontrollin e të gjithë territorit të kampit.”, u shpreh Softa.

Për ekspertin Softa, u shpreh se reagimi i tyre erdhi për shkak se ata kishin diçka për të fshehur, pasi nuk ka kuptim një reagim i tillë.

“Ndoshta kanë pasur diçka për të fshehur, sepse kur ke një vendim gjykate në dorë dhe kur nuk ke asgjë për të fshehur, patjetër duhet ta lejosh Policinë e Shtetit që të kryejë funksionet e saj.

Ajo nuk ishte atje si pasojë e një kontrolli rutinë, por ka pasur një vendim gjykate në dorë që ka ardhur si rezultat i një hetimi paraprak nga ana e SPAK-ut.

Dhe në këtë kundërshtim nuk kanë qenë 3200 persona, por një grup i veçuar të cilët janë thirrur dhe organizuar në këto momente për t’iu kundërvënë policisë.

Dhe kjo sipas pamjeve por dhe raportimeve zyrtare, kjo ka ndodhur në momentin kur policia shkon në zonat më problematike të kampit, siç janë serverat, kompjuterat, pjesët e pajisjeve individuale, të cilët janë përdorur për aktivitetet e tyre por që janë pjesë e hetimit”, u shpreh Softa.

Në bazë të zhvillimeve të ndodhura në kamp, eksperti Softa, shprehet i bindur se aksioni i policisë në kampin e Manzës nuk ishte i dekonspiruar dhe konform të gjitha detyrave që ka Policia e Shtetit.

“Dhe kjo mund të ketë qenë dhe arsyeja që i çoi ata për të bërë një rezistencë. Dhe e dyta, kjo është një strukturë që kurrë nuk është monitoruar nga Policia e Shtetit dhe ndoshta ata e kanë cilësuar si perandori të tyre, të cilët e konsideronin si qytet-shtet”, theksoi eksperti Fatjon Softa.

fatjon softa policia e shtetit spak policia e shtetit mek katerina hysenllari

EMISIONET