Dita e Alfabetit, PL: Buxheti për arsimin larg misionit të vërtetë të dijes
Partia e Lirisë reagoi sot në Ditën e Alfabetit mbi gjendjen e arsimit në Shqipëri, duke e cilësuar buxhetin e vitit 2026 “larg misionit të vërtetë të dijes dhe emancipimit të brezave të rinj”.
Zv.sekretarja e Përgjithshme e PL, Brunilda Haxhiu, deklaroi se investimet kapitale në arsim janë vetëm 0.2–0.3% e PBB-së, niveli më i ulët në rajon, ndërkohë që 40% e shkollave janë ndërtuar para viteve ’90 dhe janë të amortizuara, duke rrezikuar sigurinë e fëmijëve.
Ajo theksoi se kërkimi shkencor financohet me vetëm 0.06% të PBB-së, shumë më pak se mesatarja europiane prej 2.2%, çka e lë arsimin e lartë të mbështetet pothuajse vetëm te projektet e huaja.
PL ngriti shqetësim edhe për mungesën e kushteve bazë në shkolla, klasat e mbingarkuara, mungesën e laboratorëve dhe mjeteve didaktike, transportin arsimor të munguar për mijëra nxënës, si dhe faktin se një psikolog mbulon deri në 1,500 fëmijë.
Sipas Haxhiut, 63% e maturantëve planifikojnë të ikin nga Shqipëria, pasi nuk shohin perspektivë për të ardhmen e tyre.
PL apeloi për një rikonceptim të arsimit, rritje të ndjeshme të financimit, rikthim të figurës së mësuesit si autoritet i dijes, investime në laboratorë, siguri në shkolla dhe politika që u ofrojnë të rinjve mundësi reale punësimi dhe zhvillimi


