Çobanët e bjeshkëve në UNESCO, antropologia franceze shpëton stanet nga zhdukja

Autoritetet shqiptare i kanë lënë në harresë, ndërsa një antropologe franceze edhe pse e sëmurë jeton në bjeshkë me të vetmin synim: Ruajtjen e staneve nga zhdukja. Martine Wolff, po përgatit dosjen e çobanëve malësorë për të futur këtë tradite shqiptare në UNESCO.

Prej vitit 2008 kur është vendosur në tokën shqiptare, thotë se është dashuruar me këtë vend dhe ka zgjedhur të mos shkëputet më kurrë.

65-vjeçarja, Martine Wolff, me origjinë franceze, jeton mes alpesh. Nga Kelmendi ka udhëtuar drejt Shkodrës për të ngritur alarmin se çobanët gjenden në vështirësi.

Dimri i ashpër dhe dëbora e rënë që ka shkuar deri në 5 metra ju ka shkatërruar stanet, e ndërsa shkrirja e saj do të zgjasë bagëtitë i kanë në rrezik thotë ajo.

“Është nja pasuri shumë  e madhe në Shqipëri, është një mrekulli po ata janë në vështirësi shumë të madhe.”- shprehet ajo.

Thotë se ka informuar edhe institucionet vendore e qëndrore për atë që po ndodh në Bjeshkët e Malësisë.

“Është e papranueshme, nëse nuk kemi çobanët nuk kemi këtë bukuri”.

Martine është e vetëdijshme për rëndësinë që ka gjëja e gjallë në këto zona, si dhe ndikimin ne turizëm. Por mbi të gjitha për çobanin, si një traditë që po rrezikon zhdukjen.

Për këtë qëllim ka nisur punën që të përgatisë dosjen për ta regjistruar në UNESCO.

“Jemi të punuar për në UNESCO, sepse është një dukuri në zhdukje.”

Antropologe dhe psiko-terapiste për fëmijët me probleme, ajo ka jetuar fillimisht në Kosovë, e më pas në Dukagjin e Kelmend të Malësisë së Madhe.

Përtej vështirësive që i ka dhënë jeta, si përballja me sëmundjen e rëndë, ajo nuk di të ndalet por vijon të jetë një zë i fortë i malësorëve.

Në fund, përmes gjuhës së saj jep këtë përshkrim për Shqipërinë.

"Ju jeni njerëz të mrekullueshëm dhe bota nuk e di ende!"