Arti në zi, mbyll sytë në moshën 89-vjeçare aktori dhe regjisori Pirro Mani
Regjisori dhe aktori i njohur Pirro Mani ka humbur jetën nga një sëmundje e rëndë në moshën 89 vjeçare. Artisti ndodhej në Shtete e Bashkuara të Amerikës ku jetonte prej disa vitesh. Gjatë karrierës së tij Mani ka lënë gjurmë në artin dhe kulturën shqiptare përmes 10 shfaqjeve që ka vënë në skenë në teatrin kombëtar dhe atë të Korçës.
Regjisori i njohur shqiptar Pirro Mani është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare. Ai i mbylli sytë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku prej disa vitesh jetonte së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen e tij.
Pirro Mani kishte hequr dorë prej shumë kohësh nga skena, por karriera e tij ka lënë gjurmë në historinë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

Pas 15 vitesh mungesë, në skenën e teatrit kombëtar u ngjit në skenë komedia “Njeriu Hibrid”, të cilën Mani e shkroi gjatë qëndrimit në New York. Komedia trajton luftën e klasave në Shqipërinë e viteve 70.
Pas studimeve në Moskë, Pirro Mani u emërua regjisor i Teatrit të Korçës “Andon Zako Çajupi”, post të cilin e mbajti për 8 vite.
Më pas ai ju bashkua teatrit kombëtar ku punoi për 25 vite. Në karrierën e tij ai numëron mbi 80 shfaqe ndërkohë që është nderuar me shumë çmime. Është mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i skenës i angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”.
Piro Mani lindi më 14 prill të vitit 1932 në Korçë. Mani i përket asaj plejade artistësh shqiptarë që studiuan në Moskë, në Institutin Shtetëror të Artit Teatror Gitis. Karrierën si regjisor e nisi në Teatrin e qytetit të tij të lindjes Korçë, ku punoi rreth 8 vjet.
Në Teatrin Kombëtar ai erdhi për herë të parë në vitin 1967, ku spikati menjëherë për talentin dhe forcën me të cilën e shihte teatrin.
Rreth 80 vepra artistike mbajnë firmën e tij regjisoriale. Si pedagog ai ka dhënë kontribut në daljen e një sërë brezash artistësh që bëjnë sot teatër. Ndër veprat e tij mund të përmendim “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Cuca e maleve”, etj. Pirro Mani mban titullin "Artist i Popullit".
Kinemaja ka qenë një tjetër stacion në jetën e tij. Ai ka interpretuar si aktor në filmin "I teti në bronz" rolin e Sali Protopapës, apo "Vitet e para".
Roli i tij i fundit ka qenë në filmin "Barbarët" me regji të Liri Begesë.
Për ndarjen nga jeta të regjisorit Mani, nuk munguan as mesazhet ngushëlluese të politikanëve për familjen, miqtë dhe kolegët e tij.
Politika mesazhe ngushëllimi
Ndërkohë politika ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e aktorit dhe regjisori i mirënjohur shqiptar.
Kryeministri Edi Rama, teksa ka ngushëlluar familjen për humbjen e trishtë, shprehet se Mani ishte ustai i madh i skenës kombëtare.
“LAMTUMIRË USTA! Pirro Mani ishte ustai i madh i skenës kombëtare teatrore. Pa të kultura dhe historia e artit skenik shqiptar do të ishin shumë më të varfër. U prehtë në paqe dhe ngushëllime familjes.”- shkruan Rama.
Ndërkohë Presidenti Ilir Meta, shpreht i pëkëlluar për humbjen e tij.
“Pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta të Pirro Manit, njërit prej personaliteteve më të shquara në historinë e teatrit dhe të filmit shqiptar. “
Por nuk ka munguar as ngushëllimi i Kryedemokratit Lulzim Basha, i cili shprehet se dita e sotme është e trishto për artin shqiptar.
“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta e ikonës së teatrit Pirro Mani. E sotmja është një ditë e trishtë për teatrin dhe kinematografinë, një ditë e trishtë për artin shqiptar, një ditë e trishtë për artdashësit.”