Gëzim Myshketa: Më mirë një kritikë nga një mendje e ndritur, se 20 komplimente të radhës
Këngëtari lirik me famë ndërkombëtare, Gëzim Myshketa, ka lançuar së fundmi albumin e tij më të ri me titull 'Ta dish'. Bëhet fjalë për një album me muzikë shqiptare të ripërpunuara në bashkëpunim me kompozitorin Kushtrim Gashi.
"Ishte një kontribut, një ëndërr shumë e madhe ,sepse lindi si një ide për të bërë një antologji të muzikës shqiptare të ripërpunuar, me kompozitorin Kushtrim Gashi. Duam ti risjellim më të ngrohta dhe më rinore. Jam shumë i lumtur që më në fund albumi gjeti dritën. Përveç albumit do të ketë dhe një libër që shpjegon se si kanë lindur këngët, tregon për kompozitorët dhe jetët e tyre", thotë kompozitori për emisionin Ditë e Re me moderatorë Arjola Shehu dhe Arjon Muça.
Artisti ia ka dedikuar babait albumin.
"Albumi " Ta dish", ia kam dedikuar babait, sepse artin e kam trashëguar nga ai."
Ai thotë se të huajt e pëlqejnë muzikën shqiptare edhe pse nuk e kuptojnë tekstin.
"Kur francezët dëgjojnë muzikë shqip e pëlqejnë shumë, edhe pse nuk kuptojnë asnjë fjalë, kur i tregoj historinë që e pëlqejnë akoma më shumë. E kanë dëgjuar italianët dhe e pëlqejnë jashtë mase.
Suksesi dhe kënaqësia ime shpirtërore është që e dëgjojnë njerëz që nuk i kuptojnë fjalët dhe e pëlqejnë jashtë mase."
Gëzim Myshketa dëshiron të bëj koncerte në Shqipëri.
"Dua të bëj një tur kam shumë dëshirë, patjetër në Shkodër, Tiranë, Korçë dhe Prishtinë duhet bërë koncert."
Myshketa zbulon se, kritikat nga njerëz të ndritur dhe profesionist i kanë dhënë shtysë për tu përmirësuar dhe zhvilluar.
"Kritika e njerëzve të vërtetë të ndritur ka qenë shtysa dhe pika më e mirë që unë të perfeksionohem. Të perfeksionon shumë më tepër një kritikë nga një mendje e ndritur, se 20 komplimente të radhës, je i mrekullueshëm, je gjigant, siç bëjmë ne shqiptarët."
Albumi 'Ta dish' është bërë live, është regjistruar vetëm për një orë e 20 minuta, thotë këngëtari.
