Rotacion pushteti dhe shanset për të rinjtë

Duke u nisur nga programet politike të të gjitha partive politike, sidomos atyre në pushtet, në secilin prej tyre shihet mungesa e qëllimit real të frymës rinore në aspektet vendimmarrëse. Jo vetëm hartuesit e programeve politike për të rinjtë, por sidomos ata që kanë në dorë lënien e hapësirës për zbatimin e tyre, kanë shmangur të paktën katër gjëra: E para, sa janë ku ndodhen dhe çfarë bëjnë të rinjtë shqiptarë; e dyta, çështja e të rinjve në Shqipëri dhe gjendja në të cilën jetojnë; e treta, këndvështrimi i tyre për të ardhmen e vendit; e katërta, pjesëmarrja ose përfshirja në jetën politike dhe qeverisjen vendore. Partitë politike, nëse e janë të vetëdijshme se rinia është burimi kryesor i forcës politike, sociale, ekonomike e në të tërësi i së ardhmes,  duhet t’i krijojnë hapësira të rinjve për të pranuar rotacionin politik edhe në këtë kuadër. Rotacioni  është prezent në çdo nivel të shoqërisë, e nëse është kështu, atëherë politika në shërbim të qëllimit që ka, duhet ta pranojë madje, ta ftojë këtë formë. Mungesa e korrespondencës anagrafike, ndërmjet elektoratit aktiv dhe pasiv në zgjedhjet politike dhe administrative, është një tjetër problem madhor i përjashtimit të të rinjve nga jeta publike e politike. Nëse një i ri, sipas ligjit është i aftë të zgjedhë nëpërmjet votës një krah politik apo një tjetër, atëherë duhet të konsiderohet i aftë dhe në gjendje të përfaqësojë të njëjtat ide politike të cilat voton. Të rinjtë çdo ditë përballen me papunësinë, e cila shkakton krizë personale dhe nuk i lejon të programojnë të ardhmen e tyre, gjë e cila është dhe duhet të jetë në kodin etik dhe moral të kujtdo që drejton një vend: punësimin, shtëpinë si koncept dhe familjen trilogjik i realizimit të njeriut. (rëndësia e saj, kultura dhe koncepti i familjes tradicionale përballë asaj moderne).Këto gjëra realizohen në cilësi mbi objektivin e meritokracisë. Të rinjtë e sotëm janë në fazën e besimit të humbur. Kjo do të thotë se nëse partitë politike, apo politika në tërësi, ka nevojë për ta, duhet të gjejnë mënyrën t’u kthejnë besimin. Ky besim kthehet duke iu dhënë vetëm një formë vlerësimi, atë nëpërmjet aftësive të gjithsecilit, pavarësisht shtresës sociale nga e cila vjen. Zhdukja e nepotizmit në një kohe relativisht të shkurtër do i kthente besimin shpresave dhe ëndrrave të mijëra të rinjve. Të gjitha partitë politike bëjnë të njëjtin gabim: premtojnë pikënisje të njëjta, ndërkohë që ato detyrimisht janë të ndryshme. Një alternativë e re, me një frymë të re faktorësh, do t’u thoshte  të rinjve: pikënisjet janë të ndryshme, u japim shansin e barabartë dhe diferencën e vetme ta bëjë talenti, impenjimi, serioziteti, vlerat pozitive dhe aftësisë e gjithsecilit. Vetëm kështu i jepet mundësia çdo të riu e të reje të korrë frytet e sakrificave të bëra dhe ta shijojnë jetën si dhunti hyjnore.Burimi