Historia si vetënjohje
Para disa ditësh u zhvillua një konferencë shkencore mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Austrinë, i organizuar nga Ambasada Austriake dhe Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Kur dëgjova referuesit, si shqiptarë dhe austriakë, referatet cilësore dhe të argumentuara, punën e shkëlqyer të Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe të Institutit të Historisë, sidomos në mbledhjen e dokumenteve mbi historinë e Shqipërisë, një ndjenjë e fortë entuziazmi dhe respekti më bëri të kujtoj një ide të Tokëvilit, i cili duke u nisur nga përvoja e Revolucionit amerikan, do t’i këshillonte politikanët francezë dhe më gjerë në Europë duke u thënë se duke u dhënë njerëzve lirinë, ata shumë shpejt do të dinë të përfitojnë nga frytet e saj. Kjo ide ka rëndësi në fushën e diskutimit shkencor, veçanërisht në shkencat humane. Cilësia e referimeve më mbushi me besim se liria po i jep frytet e saj në fushën e kërkimit akademik dhe ajo as nuk duhet të cenohet dhe as të vihet nën presionin e politikës së ditës.Aktualisht, ne na ka përfshirë një «ethe historike» në këtë 100-vjetor të shtetit shqiptar. Ka shumë diskutime historike, kujtime, vlerësime, të cilat janë rezultat i lirisë, por mund të vihen re edhe abuzime me këtë liri. Gjithsesi, në këtë «ethe historike» nuk ka ndonjë gjë të keqe, sepse këto do të përbëjnë një ngacmim dhe lëndë të parë për historianët, të cilët meritojnë të respektohen për punën e tyre të shkëlqyer. Në këtë «ethe historike» vihen re shumë gjykime aksiologjike, vlerësuese, të cilat kërkojnë të japin verdiktin përfundimtar se kush ka qenë tradhtar dhe kush ka qenë hero. Shihen përpjekje për të mos përmendur personazhe dhe ngjarje, të cilat kanë përbërë pjesë të errëta të historisë sonë, a thua se historia jonë është si një pallto që mund ta flakim se do ta veshë dikush tjetër. Jo, historia me të mirat dhe të këqijat e saj mbetet historia jonë dhe nuk mund ta veshë dikush tjetër. Këto gjëra mund të përdoren si pamflete politike, por jo si histori në kuptimin e vërtetë të fjalës. Historia duhet të shërbejë si njohje e vetes sonë, në kuptimin që, në qoftë se duhet të kuptojmë se çfarë njerëzish jemi, duhet më parë të kuptojmë se çfarë njerëzish kemi qenë, çfarë kemi bërë dhe si kemi menduar në të kaluarën. Pra, na duhet një histori që t’i shërbejë jetës sonë dhe jo një grupi të caktuar. Por, siç shprehej Niçe, për të ditur se deri në çfarë pike kemi nevojë për shërbimet e historisë, kjo është një nga çështjet dhe shqetësimet më të mëdha që lidhen me shëndetin e një individi, të një populli, të një qytetërimi, çështje që mbetet ende në diskutim në mendimin filozofik mbi historinë. Megjithatë, Niçja na jep një këshillë, që mendoj se i përshtatet kohës sonë. Ndoshta koha jonë i ngjan asaj të Niçes, se edhe Gjermania në atë periudhë ishte përfshirë nga një «ethe historike». Ai na thotë se shumë histori mund të trondisë dhe të bëjë që të degjenerojë jeta dhe përgjithësisht ky degjenerim përfundon me vënien në rrezik të vetë historisë. Por, në qoftë se ekseset e njohjes historike e dëmtojnë qenien e gjallë, është e domosdoshme që të kuptohet se edhe vetë jeta ka nevojë për historinë, sidomos atëherë «kur epoka jonë është aq e mjerë,- siç shprehej Gëtja,- sa poeti nuk mund të gjejë më në anturazhin e tij karaktere njerëzore, për të cilët ka nevojë për veprën e tij».Në këtë perspektivë të Niçes, njeriu e shikon historinë në tri raporte: në masën ku ai vepron dhe ndjek një qëllim, në masën ku ai ruan dhe adhuron atë që ka qenë dhe në masën ku ai vuan dhe ka nevojë të çlirohet. Këtyre tri raporteve u përgjigjen edhe tri lloje të historisë, historia monumentale, tradicionaliste dhe historia kritike.Në rastin e historisë monumentale zgjidhen pjesë të caktuara të historisë dhe pjesë të tjera harrohen dhe përbuzen dhe ata pak personalitete që përmenden, ata paraqiten me tipare të mrekullueshme dhe artificiale. Kjo histori, sipas Niçes, mashtron përmes analogjive, entuziastin e shndërron në fanatik dhe e përdorin njerëz që kanë nevojë për impulsione të forta. Më e keqja është se kur kjo histori bie në koka egoiste dhe keqbërës të ekzaltuar, atëherë mbretëritë do shkatërrohen, princat do të vriten, do të shpërthejnë luftëra dhe revolucione. Historia monumentale përdoret për të fshehur «urrejtjen e tyre të mëdhenjtë dhe të fuqishmit e të tashmes» dhe mund ta përdorin në mënyrë malinje «politikanët e birrarive».Për historinë interesohet edhe ai që ka shijen e konservimit dhe të adhurimit, ai që kthehet me dashuri dhe besnikëri ndaj botës nga vjen dhe ku është formuar. Historia e qytetit të tij bëhet histori e tija. Aty ai gjen forcën, kënaqësinë dhe gjykimin e tij. Kështu, formësohet një ndërgjegje e «ne». Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Kur ne sot shikojmë se si trashëgimia jonë historike rrënohet për hir të përfitimit ekonomik, duhet të reagojmë fuqishëm. Rreziku në këtë lloj historie, sipas Niçes, qëndron në atë se çdo gjë e vjetër dhe e kaluar, për aq kohë sa mbetet në fushën e vizionit, përfundon në një lloj «perdeje uniforme adhurimi». Kjo lloj historie degjeneron, në qoftë se nuk gjallërohet nga një «fllad gjallërues i të tashmes» dhe ulet në nivelin e një kurioziteti të pangopur, ose në një «pasion universal për gjithçka që është e lashtë».Por, njeriu, për Niçen, përveç historisë monumentale dhe tradicionale, ka nevojë ta shikojë historinë edhe sipas një mënyre të tretë, mënyrën kritike, sigurisht edhe kjo në shërbim të jetës. Siç thotë ai, tani historia duhet vënë nën drejtësinë, jo në kuptimin se drejtësia do të japë verdiktin e saj. Këtë duhet të bëjë vetë jeta. Kjo është një punë shumë e vështirë, pasi duhet shumë forcë për të jetuar dhe harruar «se të jetuarit dhe të qenët i padrejtë përbëjnë një», pasi jeta që nuk bazohet te burimi i dijes, mund të tregohet e padrejtë ndaj historisë. Kjo është arsyeja që Kroçe shkruante se çdo gjeneratë e rishkruan historinë e vet, pasi dija historike vjen duke u zgjeruar. Prandaj edhe vetë dija historike bën pjesë në histori. Kështu, thirrjet për të rishkruar historinë i realizon vetë jeta e lirë dhe nuk ka nevojë të lëshohen thirrje patetike për rishkrimin e historisë.Se në cilën tipologji ndodhemi ne, po ia lë mendimit të lexuesit, që mendon duke reflektuar për njerëzit dhe ngjarjet.Me fjalë të tjera, në shkrimin e historisë ne duhet të udhëhiqemi nga një parim metodik, të cilin Diltei e shpreh me një formulë shumë të thjeshtë. Detyra e shkencave humane dhe, në këtë kuadër edhe e historisë, është që të kuptojë dhe jo thjesht të shpjegojë. Pra, ne kemi nevojë që ta kuptojmë të kaluarën, me qëllim që të kuptojmë më mirë veten tonë. Ne kemi nevojë që të kuptojmë se cilat kanë qenë qëllimet e veprimit të aktorëve historikë dhe a ishte kjo zgjidhja më e mirë për kohën. Brezat që vijnë më pas, të cilët janë më të informuar, e kanë kollaj të bëjnë gjykime vlerësuese për veprimin e paraardhësve, por neve na intereson të dimë qëllimet dhe motivet e këtyre aktorëve historikë dhe nëse zgjidhjet që ata bënë ishin zgjidhjet më të mira për kohën. Pra, historiani i vërtetë përpiqet ta jetojë mendimin e kaluar në mendjen e tij. Këtë ide Kroçe e shpreh mjaft mirë kur shkruante. «A doni ta kuptoni historinë e vërtetë të një liguriani ose siciliani neolitik? Përpiquni, në qoftë se mundeni, të bëheni një ligurian dhe sicilian neolitik në mendjen tuaj. Në qoftë se nuk mund ta bëni këtë, ose nuk doni ta çani kokën për këtë, kënaqeni veten me përshkrimin dhe rregullimin në seri të kafkave, veglave dhe përcaktoni se cilat nga këto u përkasin këtyre popujve neolitikë». Ky mendim është tepër aktual për shkrimin dhe kuptimin e historisë, pasi në qoftë se nuk depërtohet në mënyrën e të jetuarit dhe të menduarit të aktorëve historikë në të kaluarën, atëherë mund të kënaqemi me rregullimin e veglave dhe të relikteve sipas një rregulli ose lloji, atëherë ne do të kemi etnologji ose arkeologji, por jo histori.Hegeli na ka lënë një frazë shumë interesante, kur shkruante se çdo gjë reale është e arsyeshme dhe çdo gjë e arsyeshme është reale. Ngjarjet dhe personazhet e të kaluarës janë reale dhe ne duhet të dimë se cilat ishin arsyet që i sollën këto ngjarje dhe personazhe, qofshin këto ngjarje të pakëndshme dhe personazhe negative, madje që kanë lënë pasoja të kobshme për historinë tonë. Vetëm kështu ne do t’i shërbejmë jetës së tashme dhe vetënjohjes sonë, me qëllim që të mos ripërsërisim gabimet që kemi bërë në të kaluarën.Për më tepër, një histori që t’i shërbejë jetës nuk mund të shkruhet duke u bazuar në një ideologji të caktuar, pasi qëllimi i vërtetë i një historie të tillë nuk është që të zbulojë të vërtetën rreth të kaluarës, por të shprehë ndjenjat e autorit kundrejt saj. Një histori të tillë Kroçe e quante histori partizane. Historia patriotike, historia partizane, historia e frymëzuar nga idetë liberale, humaniste ose socialiste dhe në përgjithësi, çdo histori që ka si funksion që të shprehë ose dashurinë dhe admirimin e historianit për subjektin e vet, ose urrejtjen dhe kundërshtimin e tij për të, nuk e meriton emrin e një historie serioze shkencore. Prandaj, Kroçe theksonte se, sa herë që historiani kënaqet me sajime dhe i lejon vetes thjesht të pohojë mundësi, ai në fakt i hap rrugë tendencës së poetizimit dhe romantizimit të historisë. Në një rast të tillë historiani shpreh ndjenjat e tij personale duke i lejuar vetes që të besojë gjëra që dëshiron të besojë. Nuk ka nevojë të provohet një gjë e tillë. Hapni faqet e gazetave dhe do të shikoni shumë shkrime ku shprehen simpatitë dhe antipatitë e autorëve për ngjarjet dhe personazhet historike.Si përfundim, do të theksoja një ide gjeniale të filozofit të shquar gjerman Hajdeger, i cili do të theksonte që ne të mos e trajtojmë historinë si një koleksion të thjeshtë antikitetesh. “Para së gjithash na duhet të kuptojmë se historia nuk qëndron pas nesh si një objekt, por më shumë në kuptimin se jemi ne vetë historia dhe se, për pasojë, jeni ne përgjegjës për mënyrën se si e trajtojmë atë – dhe vetëm atëherë debati ynë me të kaluarën historike, domethënë me vetë ne, mund të bëhet me të vërtetë një çështje djegëse”. Përfundim mjaft i vërtetë dhe aktual edhe për kohën tonë ku, në qoftë se do të përdorim gjuhën e Hajdegerit, banalitetet na e kanë fshehur zbulimin e qenies të të qenët tonë ose, e thënë ndryshe, thelbin e qenies sonë.Burimi