PSG ka mbushur arkën e buxhetit të Francës me 1.9 miliardë Euro
Më 30 Qershor, Paris Saint Germain do të festojë 10-vjetorin e blerjes së klubit nga manjatët miliarderë nga Katari, një investim që klubin parizien e ka rikthyer në nivelet më të larta të historisë së futbollit francez dhe europian.
Për të kuptuar impaktin e madh që ka patur investimi i Al Khelaifit, klubi kishte porositur një studim mbi kontributin dhe impaktin financiar dhe jo vetëm.
Sipas rezultatit nga “Limoges Sports Law and Economy Centre”, kontributi financiar i klubit kryeqytetas në financat publike duket i konsiderueshëm dhe janë 1.9 miliardë Euro që Qatar Sports Investments ka derdhur në arkën e shtetit francez prej 10 vjetësh. Kjo tregon se sa e rëndësishme është për një vend që të ketë një klub të madh me yje botëror pasi përveç spektaklit krijon dhe vende pune, ndihmon buxhetin dhe jep një dorë për ekonominë.
PSG është bërë një bastion i futbollit evropian, është klubi i shtatë në kontinent me më shumë të ardhura sipas Deloitte dhe është vlerësuar si marka e shtatë më e vlerësuar në botën e futbollit. Në raportin financiar prej gjashtë faqesh, zbulohen disa detaje pak të njohura që bien në sy siç është kontributi financiar në taksa.
Në dhjetë vjet, PSG ka paguar 1.9 miliardë euro në kontribute sociale dhe tatimore "në buxhetin e organizatave shoqërore (kontributet shoqërore të punëdhënësve) dhe në buxhetin e shtetit dhe autoritetet lokale (tatimi i korporatave, taksat lokale) dhe taksat e paguara nga lojtarët ”. Një shumë e madhe, e jashtëzakonshme dhe siç thuhet në raport është më e lartë se sa kontributi që japin kompanitë si Google ose Amazon në Francë.
Për të kuptuar më thjeshtë, mjafton të përmendim që Neymar dhe Mbappe kanë një page prej 36 mln Euro dhe 30 mln Euro neto në vit dhe vetëm nga taksat dhe tatimet e tyre, PSG mbush arkën e shtetit pa llogaritur edhe lojtarët e tjerë apo stafin e trajnerit ku pagat e tyre janë me dhjetra milionë të tjera.
