Suedia goditet nga Covid-19, Kulusevski rezulton pozitiv
Vetëm 6 ditë para debutimit në Kampionatin Europian, Suedia merr një lajm aspak të mire teksa Dejan Kulusevski ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Lajmi është konfirmuar nga trajnerin Janne Andersson i cili shpjegoi se nuk do të marrë asnjë zëvendësues në skuadër pasi pret rikuperimin e lojtarit të Juventusit.
Mjeku i Suedisë, Stefan Pettersson zbuloi se në mëngjes, lojtari kishte njoftuar stafin mjekësor të kombëtares se kishte simptomat e një ftohjeje dhe menjëherë iu nënshtrua testit të PCR ku rezultoi edhe pozitiv. Fatmirësisht sipas tij, ai nuk ka patur kontakt sot me asnjë lojtarë dhe ka qëndruar i izoluar sipas protokollit në Stockholm ndërsa skuadra është spostuar në Goteborg.
Pettersson e pranoi se nëse pjesëtarë të tjerë të skuadrës të jenë infektuar nga Kulusevski një ditë më pare, atëherë me shumë mundësi në testet e radhës në ditët e ardhshme mund të ketë lojtarë të tjerë me Covid por shpresohet që kjo të mos ndodhë.
Suedia është programuar të luajë ndeshjen e parë të Kampionatit Europian ndaj Spanjës më 14 Qershor në “Cartuja” të Sevillas për Grupin E ku ndodhen edhe Polonia me Sllovakinë.
