Shpresat kuqezi bëjnë një hap pas, humbasin 4-0 miqësoren me Bullgarinë

Shqipëria e 21-vjeçarëve ka humbur ndeshjen e dytë të zhvilluar në pak ditë. Ndryshe nga ajo eliminatore ndaj Andorras të fituar 3-0, Shpresat u dorëzuan përballë moshatarë të tyre të Bullgarisë me rezultatin 4-0.

Edhe pse ishin vetëm 3 lojtarët titullar që luajtën ndaj Andorras dhe të gjithë të tjerët të zëvendësuar për këtë miqësore, djemtë e Alban Bushit u dorëzuan shumë shpejt teksa vetëm në 7 minutat e para pësuan dy gola me Shopov në të 2’ dhe Petrov në të 5’.

Kjo goditje e shpejtë duket se surprizoi lojtarët e Shpresave që e kishin të vështirë të reagonin sidomos edhe pas golit të tretë të pësuar në pjesën e pare nga Gruev në 12. Praktikisht ndeshja u mbyll pas 15 minutave lojë me një rezultat të tillë ndërsa reagimi kuqezi ishte i dobët.

Në pjesën e dytë bullgarët shënuan edhe golin e katërt me penallti në 68’ teksa rezultati final ishte 4-0. Një humbje që djeg edhe pse miqësore me një kundërshtar të një niveli pothuajse të njëjtë ndërsa tani djemtë kuqezi duhet të bëhen gati për sfidat e vërteta të Shtatorit për eliminatoret e Europianit.