Kosova eksperimenton, humbet miqësoren ndaj Guinesë
Pothuajse asnjë lojtar titullar nuk ishte në formacion ku u provuan lojtarë si Jashanica, Rron Broja i Partizanit apo dhe Mirlind Daku i Ballkanit. Me një formacion 4-3-3, Kosova luajti mirë në pjesën e pare edhe pse nuk gjeti dot golin ndërsa në të dytën edhe për shkak të 5 zëvendësimeve, skuadra u çbilancua dhe i dha mundësinë ekipit afrikan të shënonte dy here me Koyate në 60’ dhe Kante në 65’ me penallti. Në fund të takimit, dardanët arritën të shënonin me anë të Arb Manaj në 93’.
Gjithsesi, Challandes pati mundësinë të bënte vlerësimet e duhura për disa të rinj që u futën edhe në të dytën si, Arb Manaj i cili shënoi dhe golin e Kosovës, Liridon Balaj, Lavdrim Hajrullahu apo Muharrem Jashari. Kjo është pak a shumë edhe synimi për trajnerin dhe stafin që në ndeshje të tilla t’u jepet mundësi elementëve të rinj që mund të jenë në të ardhmen titullarë për dardanët.
Tre ditë më vonë do të jetë një tjetër test, i fundit dhe sërish në Turqi ku Kosova do të përballet me Gambian.
