Barcelona e ashpër me Dembele: Rinovo ose nuk luan një vit
Me presidentin e ri, Joan Laporta nuk mund të ketë situata të tilla më si Messi në fund të kontratës ndaj të gjithë lojtarët duhet të rinovojnë kur klubi ua kërkon ose do të shiten menjëherë.
Rasti i Ousmane Dembele është i tillë dhe po shqetëson drejtuesit katalanas pasi sulmuesi francez nuk ka dhënë ende sinjale se do të pranojë rinovimin nga klubi.
24-vjeçari është i angazhuar me Francën në Kampionatin Europian dhe pas eventit do t’i duhet të përballet me Barcelonën ku Presidenti Laporta dëshiron të rinovojë kontratën që ka vetëm një vit nga skadenca në 2022 ndaj dhe ka nisur bisedimet me agjentët e lojtarit.
Në tryezë janë disa opsione për Dembele. Nëse ai nuk pranon të zgjasë kontratën, atëherë menjëherë do të nxirret në shitje këtë verë për një çmim me “skonto” 50 mln euro për shkak edhe të situates financiare ku ndodhet klubi.
Nëse nuk do të kishte oferta dinjitoze, në këtë rast klubi do të ndërmarrë hapin e radhës, linjën e “hekurt” me lojtarin i cili nuk do të luajë për sezonin e ardhshëm me skuadrën si ndëshkim.
Gjithsesi ka optimizëm te drejtuesit se Dembele do të kuptojë situatën delikate të klubit dhe të rinovojë të paktën me 2 sezone menjëherë pas EURO 2020.
