Vijojnë “firot” te Tirana. Cale zyrtarizon largimin nga bardheblutë

Tirana zyrtarizoi pak ditë më pare Taluant Seferin si sulmuesin e ardhshëm për 3 sezone të ekipit por që pas atij njoftimi, po largohen lojtarë me kualitet. I pari ishte Agustin Torassa ndërsa sot bëri një gjë të tillë edhe Elton Cale.

Sulmuesi Brazilian që ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm në titullin e fituar me bardheblutë kur ata drejtoheshin nga Egbo, njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale largimin nga Tirana dhe tani do të jetë një lojtar i lirë.

“Provova të mos shkruaja lamtumirë, por qenka e pamundur. Nuk mund të ndryshoj planet e Zotit. Faleminderit presidentit Refik Halili për mundësinë që më dha që të luaj me Tiranën.Tani ju jeni shumë tifozë të çmendur atje (në kuptimin e mirë), ju jeni të mahnitshëm, faleminderit për emocionet e dhuruara. Unë gjithmonë kam bërë më të mirën time sa herë që kam veshur fanelën bardheblu, e cila gjithmonë do të mbetet e veçantë për mua. Ndoshta një tjetër superlojtar do të vijë, por jo si unë. Unë po largohem duke lënë një trofe kampioni me një 5-1 të paharrueshëm në derbi. Kështu që unë e kreva punën time. Faleminderit shumë. Elton Cale dhe familja ime”, ishte postimi prekës i 32-vjeçarit për largimin nga bardheblutë.

Trajneri Shehi e ka konsideruar gjithmonë si një lojtarë të rëndësishëm Cale por ndoshta dëshira e brazilianit ishte të provonte një aventurë të re dhe jo më në Shqipëri.