Tottenham gjen trajnerin e ri, Fonseca një hap larg firmës

E nisi me Sarrin, më pas me Rodgers, kërkoi rikthimin e Pochettinos, negocioi me Conten dhe me asnjë prej tyre nuk arriti në një konkluzion final që do të çonte palët deri te firma. Më në fund tani, Tottenham ka gjetur trajnerin e ri për sezonin e ardhshëm dhe duke përjashtuar surprizat e mëdha, ai do të jetë Paulo Fonseca.

Portugezi vjen pas një aventure 2-vjeçare me Romën ku bëri mirë dhe mund të kishte bërë akoma më mirë por tani do të jetë në Premier League, në nivelin më të lartë që ka tentuar ndonjëherë më parë.

Mësohet se presidenti Levy ka patur një takim me agjentin e trajnerit i cili është propozur nga Drejtori i Ardhshëm Sportiv, i Spursave, Fabio Paratici. Ish drejtuesi i Juventusit që do të zyrtarizohet ditët e ardhshme në rolin e ri te Tottenham ka përzgjedhur ish trajnerin e Romës i cili te verdhekuqtë do të pasohet pikërisht nga trajneri që Levy e shkarkoi, Jose Mourinho.

Me një trajner të tillë, sigurisht që merkato do të jetë më e menaxhueshme pasi Conte apo Pochettino kërkonin më tepër për të vendosur për blerjet apo shitjet teksa Fonseca për stilin e lojës është i pranueshëm nga drejtuesit.