Reja: Pres më shumë në sulm me Çekinë, luajnë ata më në formë

Në konferencën për shtyp në vigjilje të miqësores së dytë ndaj Republikës Çeke, trajneri Edy Reja përsëriti atë që kërkojnë të gjithë, të bëhet më mire në fazën sulmuese.

“Jemi në vigjilje dhe duhet të bëjmë vlerësimet e duhura, por fillimisht do të presim deri nesër për të parë formën e të gjithëve dhe nëse janë të aftë të përballojnë një ndeshje tjetër me intensitet. Edhe Çekia është në të njëjtin nivel me Uellsin, pasi luajnë shumë shpejt me topat e gjatë dhe dalin shumë shpejt në sulm, ndaj nëse nuk jemi të vëmendshëm, mund të ndëshkohemi. Presim të shfaqim përmirësime veçanërisht në fazën sulmuese dhe siç e kam thënë, duhet të jemi më të saktë dhe të shpejtë në daljet në kundërsulm. E pranojmë të gjithë që në mbrojtje jemi solidë, por duhet të tregojmë edhe në repartin e sulmit, që kemi bërë hapa përpara. Nga ndeshja e nesërme do të shohim përmirësim në fazën e avancuar”.

Trajneri kuqezi e pranoi se Çekia mbetet një skuadër e forte me emra me kualitet pavarësisht se u mund në ndeshjen e kaluar 4-0 nga Italia.

“Në një ndeshje miqësore ka gjithmonë gjëra të gënjeshtërta, pasi skuadrat bëjnë kolaudimin para nisjes së Europianit dhe fokusi e përqendrimi nuk janë njësoj. Duhet thënë që Italia ka një skuadër shumë të fortë dhe me shumë vlera, që me të drejtë është kandidate për të fituar Europianin, megjithatë Uellsi dhe Republika Çeke mund të jenë surprizë në këtë Europian, ndaj duhen respektuar. Ne njohim lojtare si Jankto, Schick ndaj mendoj se ata jane ekip me kualitet”.

Reja e pranoi se nuk ka vendosur ende për formacionin dhe la të kuptohej që nëse ata që luajtën ndaj Uellsit do të jenë në kondicionin e duhur, mund të përsërisë të njëjtët por me ndryshime të vogla në fushë.

“Sigurisht që do të ketë ndryshime, por duhet të shohim deri në momentet e fundit për formën e Sefrit e Cikalleshit. Do të bëj analizat e mia dhe do të vendos, por pasi të flas me lojtarët, do mundohem të ndryshoj diçka edhe në mesfushë. Më pas në pjesën e dytë do të përpiqem të aktivizoj të gjithë lojtarët, megjithatë nga fillimi do ta nisin ata që kanë më shumë eksperiencë”.