Kundërshtojnë ndërtimin e ujësjellësit në ujëvarën e Sinecit në Berat, banorët ngrihen në protestë

Rezistenca e së premtes në Lumas të Kuçovës u mbyll me një të ri të plagosur në përplasje me policinë.

Banorët iu rikthyen edhe këtë të hënë sheshit kundër ndërtimit të një ujësjellësi ne ujëvarën e Sinecit .

Siç e kishin paralajmëruar, ata përshkallëzuan qëndrimet.

Pavarësisht prezencës së shtuar të policisë këtë të hënë bllokuan rrugën kryesore të fshatit, duke mos lejuar mjetet e firmës që të kalojnë.

Gra, burra e të rinj shprehen të vendosur për të mos lejuar që tu merret i vetmi burim uji me të cilin mbijetojnë.

"Ne po i kërkojmë një afat, një javë kohë sa të shprehet Gjykata dhe pastaj veproni,. Ata nuk janë dakord. Ata erdhën sërish sot me dhunë, na u sëmur një person aty, por ne ja kemi bërë të qartë," thotë një protestues

Apelojnë autoritetet që të pezullojnë punimet derisa të flasë drejtësia, pasi dosja tanimë është në Gjykatë.

"Ne kërkojmë të paktën që të na lënë një javë kohë sa të na kthehet vendimi i Gjykatës."

Duke u shprehur të vendosur për të vazhduar betejën e tyre, disa banorë që protestuan për mbi tre orë u detyruan që të marrin trajtim mjekësor.