Ramos mbetet jashtë Euro 2020, Luis Enrique: Vendim i vështirë
As Lojëra Olimpike dhe tani as Kampionat Europian për Sergio Ramos. Për mbrojtësin spanjoll duket se ky do të jetë viti më i vështirë në karrierë ku pas zhgënjimit pa trofe me Real Madrid dhe mungesave të gjata për shkak të dëmtimeve, merr dhe goditjen tjetër, emrin jashtë listës së Kampionatit Europian.
Në listën e publikuar nga trajneri Luis Enrique ka vend për debat pasi shihen emra si Eric Garcia apo Laporte që nuk është se kanë luajtur rregullisht me Man. City por trajneri i “La Rojas” zbuloi edhe arsyen e mungesës së tij.
“Ishte një listë e lehtë por dhe e vështirë, e bazuar në disa kritere. Më pëlqen të flas për Sergio Ramos, është evidente që ai nuk ka mundur të luajë dhe të konkurrojë që nga Janari në kushtet e duhura për një lojtar. Nuk ishte e lehtë, kam patur një bisedë korrekte me të dhe më vjen keq sepse gjithmonë ka luajtur në nivele të larta”.
Sergio Ramos është lojtari me më shumë prezenca në ndeshjet zyrtare me Spanjën dhe mungesa e tij do të jetë një handikap i madh për skuadrën teksa bie në sy që në listën e shpallur nga Enrique nuk ka asnjë lojtar të Real Madrid, për disa arsye.
Më poshtë edhe lista e plotë e Spanjës për Europianin:
Portierë: Unai Simón (Athletic), David de Gea (Manchester United), Robert Sánchez (Brighton)
Mbrojtës: José Gayá (Valencia), Jordi Alba (Barcelona), Pau Torres (Villarreal), Aymeric Laporte (Manchester City), Eric García (Manchester City), Diego Llorente (Leeds United), César Azpilicueta (Chelsea), Marcos Llorente (Atlético de Madrid)
Mesfushorë: Sergio Busquets (Barcelona), Rodri Hernández (Manchester City), Pedri González (Barcelona), Thiago Alcántara (Liverpool), Koke Resurrección (Atlético de Madrid), Fabián Ruiz (Nápoli)
Sulmues: Dani Olmo (RB Leipzig), Mikel Oyarzabal (Real Sociedad), Álvaro Morata (Juventus), Gerard Moreno (Villarreal), Ferran Torres (Manchester City), Adama Traoré (Wolverhampton), Pablo Sarabia (PSG).
