Zidane përgatit largimin: Reali mund të jetë ekip më i mirë pa mua

Në prag të ndeshjes së fundit në kampionatin spanjoll, Zinedine Zidane bën deklarata të forta lidhur me të ardhmen e tij. Trajneri francez në vigjilje të përballjes me Villarreal që do të vendosë titullin kampion, ai shprehet se pa të skuadra mund të jetë më mirë dhe se nuk pendohet për asgjë që ka bërë deri tani në krye të “los blancos”.

“Jam i bindur, shumë i bindur që Real Madrid do të jetë ekip më i mirë pa mua. Skuadra ka dhënë gjithçka pavarësisht dëmtimeve, covid-19 dhe shumë gjërave të tjera. Nuk mund të kërkoj asgjë më shumë nga skuadra. Mua nuk më pëlqen të humbas, ndoshta e them këtë sepse dua të jem trajner fitues”.

I pyetur se çfarë do të ndodhë në rast se Real Madrid nuk fiton titullin dhe nëse e ardhmja e tij vendoset nga ky trofe, Zidane shmanget dhe nuk jep shumë indikacione.

“Gjëja më e rëndësishme është ndeshja ndaj Villarreal, nuk është momenti të flas për të ardhmen. E gjithë energjia shkon vetëm për ndeshjen me Villarreal dhe asgjë tjetër nuk vlen. Benzema sërish te Franca? Më vjen shumë mire dhe jam i lumtur për Karim. Unë nuk kam qenë i përfshirë në një çështje të tillë por e rëndësishme që lojtari do të jetë në Europian”.

Për Zidane gjithnjë e më shumë ka zëra se në fund të sezonit, pra ndeshjes ndaj Villarreal, do të largohet dhe vendin e tij mund ta zërë Allegri e në mos italiani do të jetë shansi për një legjendë si Raul Gonzalez.