Sergio Ramos nuk do të shkojë në Lojërat Olimpike të Tokyos

Olimpiada është gjithmonë një nga eventet për të hyrë në historinë e sporteve dhe shumë sportistë bëjnë të pamundurën për të qenë prezent. Nëse Neymar do të jetë me Brazilin, nuk do të shikojmë dot Sergio Ramos pasi mbrojtësi duket se ka vendosur të mos rrezikojë duke parë dhe sezonin me shumë probleme fizike që ka kaluar.

“AS” ka zbuluar se lojtari që është në fund të kontratës me Real Madrid nuk do të jetë në listën që do të shpallet dhe indikacionet kanë ardhur duke mësuar listën e lojtarëve të vaksinuar. Në Lojërat e Tokyos të gjithë sportistët duhet të vaksinohen dhe kështu do të ndodhë dhe me Spanjën dhe në fakt në emrin e lojtarëve që do të marrin dozën e vaksinës nuk është Sergio Ramos.

Në fakt trajneri i skuadrës olimpike të Spanjës, De La Fuente e kishte pranuar se do të donte një lojtar me eksperiencë si Ramos por duket se të dy kanë vendosur që të mos jetë në listë duke i dhënë fund thashethemeve që kanë nisur prej kohësh. Në fakt çdo skuadër olimpike mund të ketë në listë dy futbollistë mbi 24 vjeç dhe në mungesë të Ramos, do të përfshihen Rodrigo dhe Marco Asensio të cilët janë në listën që do të vaksinohen por ndërkohë nuk kanë marrë ende “ok” nga klubet respektive.

Gjithsesi, më 30 Qershor do të shuhet çdo paqartësi kur dhe trajneri De La Fuente do të shpallë listën me 18 lojtarët që do të përfaqësojnë Spanjën në Lojërat Olimpike.