Interi ngre lart titullin e 19-të kampion në Serinë A

Ka javë që Interi është shpallur kampion dhe priste vetëm momentin e kurorëzimit. Dhe ai moment erdhi sot teksa në “San Siron” e hapur për 1000 tifozë të pranishëm me disa masa strikte, zikaltërit ngritën lart trofeun e titullit. Kapiteni Handanoviç arrin të fitojë pas 10 vjetësh diçka të rëndësishme me Interin dhe pritja ja ka vlejtur. Në ndeshjen e fundit zikaltërit dhanë spektakël ndaj Udineses ku me një formacion që i jepte hapësira të gjithëve bashkë me zëvendësimet, skuadra e Contes triumfoi 5-1 ndaj Udineses.

Shënuan praktikisht të gjithë ata që kanë bërë dhe golat e këtij sezoni për kampionët e Italisë dhe që në minutën e 8’, Young I dha avantazhin skuadrës më pas në 45’ Eriksen me një goditje dënimi ekzekutoi perfekt dhe dyfishoi.

Pjesa e dytë ishte edhe më argëtuese teksa Lautaro shënoi me penallti në 55’, Perisiç në 66’ ndërsa Lukaku në 61 vulosi golat zikaltër. Në 79’ pati vend edhe për golin e nderit të Udineses nga Pereyra.

Përundimisht Interi fitoi 5-1 dhe menjëherë më pas filloi festa e titullit ku Handanoviç me shokë ngritën trofeun ndërsa nuk munguan në fushë edhe familjarët e lojtarëve të skuadrës.