Zhbllokohet vaksinimi, 60 mijë doza të vaksinës Sinovac mbërrijnë në Rinas

60 mijë doza të vaksinës kineze Sinovac mbërritën sot në aeroportin “Nënë Tereza”. Lajmin e bëri me dije kryeministri Rama i cili bën me dije se deri të hënën presim sërish doza të tjera të vaksinës Pfizer, për të vazhduar pa u ndalur me planin tonë të vaksinimit masiv, për një sezon turistik, përtej pandemisë.

Ardhja e diozave të vaksinës kineze pritet të zhbllokojë procesin e vaksinimit të stopuar prej ditësh në vend, kryesisht për qytetarët që presin të marrin dozën e dytë të kësaj vaksine.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se synohet të ulet fasha e grupmoshave që vaksinohen, duke nisur me punonjësit e transportit publik.

"60 mijë dozat që mbërritën sot, janë pjesë e kontratës së dytë që qeveria shqiptare ka negociuar me distributorin e autorizuar të vaksinës Coronavac të Sinovac. 60 mijë doza, të cilat do të përdoren për qytetarët që kanë marrë dozën e parë dhe duhet të vijojnë edhe vaksinimin me dozën e dytë. Tashmë në Shqipëri janë mbi 830 mijë doza në total që kanë mbërritur”, deklaroi Manastirliu.

Sipas saj, deri të hënën vijnë sërish mbi 14 mijë vaksina Pfizer dhe përsëri vaksina AstraZeneca në fund të majit, duke vijuar me kalendarin e vaksinimit.

“E kemi vendosur të arrijmë 1 milion vaksinime brenda muajit qershor. Duke filluar nga dita e nesërme serish vijnë vaksina, janë 14,040 vaksina që vijnë nga kontrata jonë me Pfizer dhe nga kontrata e lidhur me Bashkimin Europian. Brenda muajit maj dhe fillim qershori, presim gjithashtu të vijnë edhe 40 mijë vaksina të AstraZeneca nga instrumenti COVAX dhe do të kemi serish sipas kalendarit të ardhjes së vaksinave, lloje të vaksinave që qeveria shqiptare ka kontaktuar dhe do të vijojmë me intensifikimin e vaksinimit”, tha Manastirliu.

Ministrja  e Shëndetësisë tha  gjithashtu se do të zgjerohen kategoritë, duke filluar nga vaksinimi për punonjēsit e transportit publik.

“Dhe duke filluar me ardhjen e vaksinave, pjesë e kontratës së qeverisë shqiptare me distributorin e Sinovac, 500 mijë vaksina, do të vijojmë edhe rritjen e grupeve të riskut, duke përfshire edhe punonjësit e transportit publik, të cilët janë pjesë e planit tonë të vaksinimit, ndërsa do të vijojmë edhe me uljen e fashës”, tha Manastirliu.

Deri tani në Shqipëri kanë mbërritur mbi 833,010 doza vaksine anti-Covid, janë kryer 712,446  vaksinime, prej tyre, 240,709 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.