Kultivuan mbi 12 mijë rrënjë kanabis, të pandehur 55 persona 5 janë policë. Mes tyre dhe shefi i Himarës

Pesë zyrtarë dhe punonjës të policisë së Himarës janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Vlorës për bashkëpunim me një grup prej 55 personash të akuzuar për kultivim kanabisi. Hetimi ka nisur fillimisht ndaj kultivuesve por mbajtja e tyre në përgjim ka zbuluar kontaktet me punonjësit e policisë dhe më pas edhe bashkëpunimin e tyre gjatë aktivitetit kriminal.

Një parcelë prej 6790 rrënjë kanabis e zbuluar mes territorit juridiksional të Himarës dhe Tepelenës, është bërë shkak për hapjen e një hetimi penal nga Prokuroria e Vlorës, e cila ka marrë të pandehur të 55 persona.

Hetimi kishte si synim goditjen dhe parandalimin e subjekteve kriminale që kultivonin drogën në zona të caktuara malore.

Por teksa prokurorët së bashku me oficerët e SHÇBA-së, ndiqnin dhe përgjonin trafikantët, ka rezultuar se në bashkëpunim me ta kanë qënë dhe punonjës të komisariatit të Vlorës, postës policore të Dhërmiut dhe komisariatit të Himarës.

Ora News ka mësuar se emrat e punonjësve të policisë që janë implikuar në kultivim të lëndëve narkotike, dhe që tashmë rezultojnë të jenë marë të pandehur për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Mes listës prej 55 personave të pandehur janë Artur Veshaj, nën/komisar, përgjegjësi i krimeve pranë komisariatit të Himarës, Ilir Kadëna nën/komisar specialist për krimet në komisariatin e Himarës, Isa Jaçaj, specialist krimesh në komisariatin e Himarës, David Fakaj oficer patrulle në Himarë dhe Arjan Tase shef i komisariatit të Himarës.

Individë të tjerë që janë marë të pandehur në listën prej 55 emrash, janë kultivues, financues dhe persona të tjerë.

 Sipas dosjes së Prokurorisë së Vlorës që tashmë ka mbërritur në gjykatë, gjatë këtij operacioni janë zbuluar 12.144 bimë narkotike cannabis sativa, të kultivuara në territorin e Njësisë Administrative Horë Vranisht dhe Bashkia Himarë.

jo sasi droge është asgjësuar në 12 episode të kultivimit të bimëve narkotike dhe 32 kordinata gjeografike, në të cilat janë kultivuar bimë narkotike “cannabis sativa”, si dhe është gjendur dhe sekuestruar material bimor cannabis sativa, në territorin e Njësisë Administrative Horë, Vranisht, Himarë, fshatrat Kuç, Tërbaç, Kallarat dhe Vranisht, si dhe 1 episod në në vendin e quajtur përroi i pishqeve, ndodhur në fshatin Gjorm, Njësia Administrative Brataj, Bashkia Selenicë.

Sasia e drogës së vendosur në proces tharje është 120.9 kg, e cila është gjendur në 7 ambjente të ndryshme në të cilat është kryer prodhimi dhe përpunimi i bimëve narkotike, si dhe kanë shërbyer për qëndrimin apo jetesën e përkoshme të personave që kultivonin drogë.