Makina përplas për vdekje drejtuesin e motorit në Fier, shtypen këmbësorët në Tiranë
Një viktimë dhe dy të plagosur rëndë ishte bilanci i tre aksidenteve në Fier e Tiranë përgjatë së premtes.
Rrugët u përgjakën sërish këtë të premte.Një 50-vjeçar humbi jetën pasi motori me të cilin udhëtonte u përplas me një makinë. Aksidenti ndodhi në fshatin Zharrëz të Patosit.
Siç tregojnë pamjet goditja ka qenë e fortë dhe Ardian Hoxha që udhëtonte me motor nuk arriti tu mbijetojë plagëve të marra.
Drejtuesi i makinës, i identifikuar si Ervin Sinanaj, 33 vjeç, është shoqëruar në Polici për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Gjatë ditës dy aksidente me pasojë të plagosur u shënuan në Tiranë.
Në rrugën e Rinasit një 46-vjeçare aksidentoi një këmbësor, 75 vjeç, i cili ndodhet në gjende të rëndë shëndetësore.
Më herët një 22-vjeçare u përplas nga një makinë në zonën e "21 Dhjetorit" në Tiranë.
Sipas INSTAT gjatë muajit mars u shënuan 119 aksidente rrugore nga 65 aksidente të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rritje 83,1 %.
Numri i të aksidentuarve në tremujorin e parë të vitit 2021, është 418 persona, viktima dhe të plagosur nga 360 persona në të njëjtën periudhë të vitit 2020.

