Meta: Ka pasur shumë fletë të pavlefshme, duhet hetim, partitë të mos cenojnë votat e procesin

Në një dalje për shtyp, presidenti i republikës, Ilir Meta u shpreh se në këto zgjedhje kemi shumë fletë të pavlefshme dhe kushdo ka të drejtë që të dyshojë.

Meta: Të mos harrojmë se në këto zgjedhje kemi shumë fletë të pavlefshme dhe kushdo ka të drejtë që të dyshojë, se ky numër nga 25 mijë ka shkuar në 83 mijë. Duhet që të mos preket asnjë kuti apo fletë votimi. Të numërohet dhe rinumërohet çdo gjë, se pamjet janë aty. Mund të shihet nëse një fletë ka dy kryqe dhe nëse janë bërë nga votuesi apo numëruesi. Numëruesit dhe vëzhguesit të lënë çdo bashkëpunim që kanë pasur për cenimin e votës.

Meta u ka bërë thirrje të gjitha palëve politike që të mos e cenojnë procesin zgjedhor dhe theksoi se çdo krim zgjedhor do të rëndojë pozitën e atyre që e kanë bërë.

Meta: U bëj thirrje të gjitha forcave politike që të mos e cenojnë më tej këtë proces dhe të numërojnë dhe rinumërojnë çdo votë që është hedhur nga qytetarët në kutitë e votimit. Çdo krim zgjedhor e rëndon shumë pozitën e tyre që do të përfshiheshin në krime të tilla për të mbuluar ato që kanë ndodhur. U bëj thirrje forcave politike që të mos merrem me analiza të zgjedhjeve, sepse nuk kanë përfunduar, por t'i shërbejnë procesit me integritet.

Meta i kërkoi edhe të gjitha organeve zgjedhore në vend, si dhe Gjykatës Kushtetuese që të jenë në gatishmëri të gjithë këtij procesi.