PD publikon bisedën Rama-Balluku: Operacion kriminal duke përdorur legalizimin në këmbim të votave

Partia Demokratike ka denoncuar sot skemën sesi Partia Socialiste sipas tyre ka blerë votat në zgjedhjet e 25 prillit, në këmbim të legalizimeve.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi thekson se në krye të kësaj skeme qëndron ministrja Belinda Balluku dhe kryeministri Edi Rama.

"Provat që do të ekspozojmë sot faktojnë masakrën zgjedhore. Ato janë vënë në dispozicion të Prokurorisë prej datës 12 Prill dhe ajo deri në këtë moment nuk ka vepruar. Kjo që shikoni në ekran është grupi i Whatsapp i hapur me urdhër të Belinda Ballukut dhe drejtuar nga Këshilltarja e saj në Kabinetin e Ministrit Laureta Omeri. Përmes këtij personi, Belinda Balluku ekzekuton skemën e blerjes së votave, duke legalizuar banesa në këmbim të votave."

Bardhi ka publikuar një bisedë në WhatsApp të cilën thotë se e ka dorëzuar në Prokurori që në datën 12 prill por nuk ka pasur ende asnjë reagim.

"PD ka bërë kallëzim kundër ministres Balluku dhe stafit të saj për krime elektorale, shpërdorim detyre dhe grup të strukturuar kriminal që prej datës 12 prill 2021. Prokuroria nuk ka bërë asgjë as për ta ndalur, as për ta parandaluar dhe as për ta ndëshkuar këtë skemë të pastër kriminale të blerjes së votës në këmbim të legalizimit të banesës. Kjo është një provë flagrante që provon se si Edi Rama dhe Belinda Balluku janë në krye të operacionit kriminal të vjedhjes së zgjedhjeve."

Për këtë ai akuzon organet kompetente se nuk po përmbushin detyrën e tyre për të provuar krimet zgjedhore.

"Të gjithë shqiptarët janë të vetëdijshëm se si kanë vepruar Rama-Doshi dhe bandat e pushtetit për të vjedhur dhe blerë rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit. Të tjera fakte dhe të dhëna do të publikohen në ditët në vijim. Deklaratat sa për të larë gojën se prokurorët duhet të hetojnë krimet zgjedhore nuk mjaftojnë. Sot Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i SPAK kanë përpara tyre një krim të dyfishtë, atë të vjedhjes së zgjedhjeve dhe atë të mosveprimit të organit të prokurorisë për të parandaluar e ndëshkuar krimet zgjedhore të provuara."

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së premtoi se do të luftojnë deri  në fund për të rrëzuar regjimin Edi Rama dhe Tom Doshi.