A do ta mandatojë Ramën si kryeministër? Meta i çon mesazh nga Presidenca: Këtu më ke deri më 24 korrik 2022
“Zgjedhjet nuk kanë mbaruar!” Presidenti Ilir Meta la të qartë se nuk ka ndërmend të dorëhiqet dhe as nuk ka frikë nga aksionet e maxhorancës për shkarkimin e tij, ndërsa të gjithë vëmendjen e ka të përqëndruar tek procesi zgjedhor.
Madje këtë ua kërkoi edhe gazetarëve në konferencën për median të thirrur sot në mesditë në presidencë, sidomos kërkoi një vëmendje të madhe tek votat e pavlefshme të cilat këtë herë kanë shënuar një rekord, mbi 83 mijë vota.
“Asnjë përgjigje për shashkat që duan të largojnë vëmendjen tuaj nga mbi 83 mijë vota të pavlefshme, të cilat duhen parë me pamje filmike si janë bërë një pjesë e madhe e tyre, sepse nuk ka statistikë në botë që të justifikojë këtë record pavlefshmërie, ndërkohë që e dini shumë mirë se diferenca është e ngushtë. Mund të lëvizin shumë mandate në të gjitha këto qarqe.
Ne duhet të mbajmë vëmendjen këtu po të ishte për këto histori do të kishte ikur 100 herë Ilir Meta nga presidenca. Më 24 korrik 2022 këtu do bëjmë konferencën e fundit për shtyp së bashku, përqëndrohuni këtu, mos u përqëndroni as tek dorëheqjet dhe as tërheqjet. Të numërohen dhe rinumërohet me transparencë e integritet të plotë. Pamjet filmike janë atje, nëse i ka bërë e njëjta dorë apo dorë të ndryshme”
Meta gjithashtu bëri të qartë se sytë i ka tek procesi i ankimimit dhe se nuk do të lejojë të mbulohet asnjë “krim”
"Nga ky moment të kenë shumë kujdes asnjë kuti të mos shndërrohet dhe asnjë përpjekje për të mbuluar çdo lloj krimi që ka ndodhur atje të mos bëhet. Ilir Meta në këto zgjedhje nuk ka kandiduar as si deputet, as si kandidat për kryeministër por ka kërkuar që vota të jetë e barabartë."
Po a do ta mandatojë Edi Ramën si kryeministër?
"Mos u merrni me gjëra që kanë kohën e tyre. Unë kërkoj të zbatohet Kodi Zgjedhor deri në fund, deri në shterrimin e ankesës së fundit nga partia më e re në këto zgjedhje nga çdo individ e kandidat."
Kreu i shtetit doli para mediave për të denoncuar një skandal që lidhet me keqpërdorim të të dhënave të tij personale. Bëhet fjalë për ndërhyrjen në telefonin e tij, dhe dërgimin e mesazheve kërcënuese disa qytetarëve.
