“Apple” rrezikon të gjobitet miliarda euro
Bashkimi Europian ka akuzuar gjigandin amerikan “Apple” për shkelje të rregullave të konkurrencës, për shkak të mënyrës si menaxhon platformën online të aplikacioneve (App Store).
Zyrtarja e Komisionit Evropian për çështje të konkurrencës, Margrethe Vestager është shprehur përmes një postimi në rrjetin social Twitter se “konsumatorët po paguajnë më shumë”.
“Gjetjet tona paraprake tregojnë se Apple kontrollon përdoruesit e pajsjeve iPhone dhe iPad përmes dyqanit App Store. Përmes rregullave të ashpra, që dëmtojnë shërbimet konkurruese, Apple u pamundëson përdoruesve zgjedhjen në muzikë”.
Komisioni Evropian kundërshton mënyrën se si Apple drejton dyqanin online sa u takon platformave të lidhura me muzikën dhe platformave të vetë kompanisë Apple, duke thënë se kjo gjë u kushton më shumë konsumatorëve dhe ua kufizon zgjedhjet. Kompania është duke shtyrë krijuesit e aplikacioneve që shesin përmbajtje digjitale, që të përdorin sistem pagese me tarifë për 30 për qind.
Hetimi i BE-së nisi pas një ankese të kompanisë së mirënjohur për shërbime të muzikës Spotify. Sipas Ligjit europian për konkurrencën, kompanitë mund të gjobiten me një përqindje të fitimeve të tyre vjetore, në rast se vërehen shkelje, që në këtë rast për Apple mund të nënkuptojë miliarda euro. Kompania amerikane deri më tani ka bërë asnjë reagim për këtë çështje.

