"20 mijë lekë, 4 vota për PS", lezhiani që pranoi krimin zgjedhor hetohet i lirë nga SPAK

"Më kanë paguar 200 mijë lekë për 4 vite. Mirë më kanë paguar."

Pas publikimit të kësaj dëshmie, ku ky qytetar nga Lezha deklaron se i kanë blerë votën në favor të Partisë Socialiste ai është vënë nën hetim, ndërsa rasti po trajtohet si krim zgjedhor.

50 vjeçari i identifikuar me iniciale G.P, emrin e të cilit për arsye hetimi nuk do ta publikojmë është marrë në pyetje ku sipas burimeve i ka qëndruar deklarimit.

Burimet policore tregohen të rezervuar, nëse ai i ka treguar para grupit hetimor këto detaje.

Në videon tashmë virale, qytetari që pranon se shiti votën, denoncon edhe përfshirjen e policisë në shpërndarjen e votave, çështje për cilën po ashtu është pyetur.

Pasi i është marrë deklarimi qytetari nge Lezha është lënë i lire dhe materialet hetimore  në lidhje me rastin i kanë kaluar SPAK.

Strukturës së posaçme tashme i mbetet detyra të faktojë denoncimin me zë e figurë dhe të identifikojë personat që i blenë votën qytetarit nga Lezha sipas pretendimit të tij.

Ky është rasti i dytë që janë referuar materialet në SPAK për krime zgjedhore në zonën e Lezhës. Më herët, u referua edhe një procedim për blerje vote nga përfaqësues të LSI.