Meta: Zgjedhjet nuk kanë përfunduar, votimi po, morën pjesë 74% e shqiptarëve që janë rezidentë
Në një dalje për shtyp, presidenti i republikës, Ilir Meta u shpreh se lidhur me përdorjen e numrit të tij personal ai ka nisur procedurat ligjore vendase dhe ato ndërkombëtare.
Meta: Informacione që janë konfirmuar tashmë. Lidhur me këtë skandal, ku një grup kriminal keqpërdor të dhënat e presidentit për të shantazhuar qytetarët. Unë i kam dërguar kompaninë Vodafone një kërkesë teknike dhe do të nisim hetim vendas dhe ndërkombëtar.
Referuar procesit zgjedhor Meta tha se votimet kanë përfunduar, por jo proces zgjedhor ka edhe ankimime.
Meta: Mos u çfokusoni nga zgjedhjet. Zgjedhjet nuk kanë përfunduar, votimi po. Rezultati vazhdon dhe i ka të gjithë mundësitë që të jetë vetëm një rezultat paraprak, sepse numërimi nuk ka përfunduar dhe ankimimet nuk kanë nisur akoma pa u shpallur rezultatet nga KQZ-ja.
Sipas Metës, në raport me rezidentët në vendin tonë, kanë marrë pjesë 74% e qytetarëve duke iu përgjigjur thirrjes së presidentit.
Meta: Në radhë të parë dua të falenderoj të gjithë shqiptarët që morën pjesë në zgjedhje. Kanë marrë pjesë në zgjedhje të paktën 74% e shqiptarëve që janë rezidentë në vend. Ju e dini se emigrantëve ju mohua kjo e drejtë. Po ashtu, edhe atyre që ishin prekur me Covid. Nga 2.2 milionë votues në vend, kanë marrë pjesë 1.6 milionë.
Meta shtoi se shumë qytetarëve iu hoq e drejta për të votuar në zgjedhjet e 25 prillit.

