Leipzig i beson stolin një trajneri amerikan

Pas largimit të Nagelsmann te Bayern Munich, Leipzig nuk ka  vonuar të gjejë pasuesin e tij dhe zgjedhja është brenda familjes. Trajneri i ri do të jetë Jesse Marsch që deri tani ka drejtuar Salzburg dhe ka punuar mjaft mire teksa zgjedhja e drejtuesve është logjike pasi që të dyja ekipet si Leipzig ashtu edhe Salzburg në Austri janë klubet e zotëruara nga gjigandi Red Bull.

Ndërkohë që për Nagelsmann nuk mund të refuzohej një rast i tillë për të drejtuar Bayern Munchen, më i fituar del Leipzig që pasi arkëtoi 25 mln euro për prishjen e kontratës nga bavarezët për trajnerin e tyre, ata afrojnë një tjetër teknik që e njeh mjaft mirë strategjinë dhe stilin e lojës të ndërtuar këto vite si nga Leipzig ashtu edhe te Salzburg.

Trajneri amerikan firmosi një kontratë deri në 2023 me ekipin gjerman dhe sigurisht që ashtu si Nagelsmann do të ketë edhe klauzolë nëse një ekip tjetër do të vijë ta marrë siç bëri Bayerni me trajnerin e ardhshëm të tyre.