Daja përgëzon të kuqtë. Shehi: Nuk mund të mendojmë për titullin
“Është fitorja e tretë radhazi. Kemi entuziazëm në ekip. Na çliroi goli i parë i Jasir Asanit. E kërkuam fitoren nga fillimi deri në fund dhe nuk e vumë asnjëherë në diskutim. Kemi një moment të mirë, pavarësisht se kemi luhatje, kishim edhe sot, të cilat nuk janë të mira. Çdo ekip ka cilësi që të të hapë probleme. Gëzojmë një formë të mirë dhe ajo që është më e mira, është se po shënojnë sulmuesit”.
Trajneri i Partizanit evitoi disa pyetje për merkaton ndërsa I vuri kapak aventurës së Melos me të kuqtë pasi lojtari ka gënjyer për dëmtimin.
“Ibraimi në të ardhmen te Partizani? Atëherë, unë jam trajner fushe dhe nuk jam aktiv në rrjetet sociale. Ne nuk kemi arritur akoma, të marrim përgjigjet nga lojtarët që kemi te Partizani. Ato janë të parët që do ndërtojmë Partizanin për sezonin tjetër. Melo një ditë para ndeshjes me Kastriotin ka dalë nga stërvitja i dëmtuar. Ka bërë eko dhe sipas specialistëve, u zbulua se nuk vuante nga dëmtimi. Përderisa e gjeti kurajon që të gënjejë dhe të largohet, e ka marrë përgjigjen”, u shpreh trajneri Daja pas fitores me Kukësin.
Nga ana tjetër, trajneri i bardhebluve, Orges Shehi vlerësoi skuadrën për paraqitjen në Durrës por sqaroi se do të ishte e ekzagjëruar që Tirana të mendojë për titullin.
“Kjo ishte ndeshje personaliteti për të treguar se kush jemi. Duke fituar ndeshjet, objektivat janë më afër. Ka ndeshje plot, jo vetëm për ne, por për të gjithë skuadrat. Nuk kemi kohë për të eksperimentuar, kemi kohë për të fituar ndeshjet. Do të fusim lojtarët më në fortë. Të mendojmë për titullin është e ekzagjeruar, por nuk na pengon askush të kemi objektivat tona. Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të ngjitemi sa më shumë në tabelë. Përballjet do të jenë direkt. Të gjitha janë brenda objektivave. Do të ketë dhe rezultate të papritura” u shpreh trajneri Shehu.
