“Hysajn e duan 2-3 skuadra të rëndësishme në Serinë A”

Elseid Hysaj ishte një nga protagonistët e fitores së Napolit ndaj Lazios dhe mbrojtësi shqiptar ka besimin e Gattusos i cili e aktivizon titullar edhe pse lojtari ka vetëm pak javë të mbetur nga kontrata me të kaltërit. Agjenti i shkodranit, Mario Giuffredi zbuloi në një intervistë të fundit në “Radio Nuovo” se për Hysajn ka disa oferta të rëndësishme brenda dhe jashtë italisë.

"Hysaj ishte deçiziv për fitoren e Napolit. Nëse do të largohet, atë do të humbasë Napoli, edhe pse për të ardhmen e tij ashtu edhe të Gattussos nuk i dihet kurrë se çfarë mund të ndodhë. Ka 4-5 hipoteza që po punojmë për Hysaj, janë 2-3 skuadra në Itali që e duan dhe disa jashtë vendit. Ekipet italiane që kanë shprehur interesim janë të nivelit të lartë, me një histori të rëndësishme", deklaroi agjenti Mario Giuffredi.

Prej kohësh flitet se Elseid Hysaj mund të kalojë te Milani me parameter zero, në një skuadër ku mund të luajë me mbrojtjen me 4, por ka edhe hipoteza se Gattuso do të shkojë te Fiorentina dhe atje mund të marrë me vete mbrojtësin shqiptar. Një operacion pa kosto edhe për klubin vjollcë që nuk do të paguante për kartonin e Hysajt i cili vlen të paktën 14 mln eurom sipas Transfermarkt.