Josa: Impenjimi i Kukësit nuk diskutohet ndaj Partizanit

Një nga dy kryesfidat e javës së 29-të të Superiores është ajo mes Partizanit dhe Kukësit dhe për trajnerin Mirel Josa, një rezultat tjetër veçse fitores do të ishte i padobishëm për verilindorët.

“Barazimi? Nuk mund të thuhet para ndeshjes se do të jemi të kënaqur me një barazim. Të dyja skuadrat futen në fushë për të fituar ndeshjen, futbollistë janë të karikuar të triumfojnë. E njëjta pyetje m’u bë edhe para ndeshjes me Tiranën dhe një pikë nuk u bën punë fare skuadrave. Kur luan kundër Partizanit normal që ndeshja është e vështirë. Nuk mund të bëjmë shumë diferencim midis ndeshjeve, pasi kemi gabuar edhe në ndeshje që në letër kanë qenë shumë të lehta.Duhet të kemi parasysh se si vijnë skuadrat në këtë ndeshje. Ne vijmë nga dy ndeshje deri sikur të mira, ku kemi marrë pikë. Besoj te vazhdimësia e skuadrës, në mënyrë që edhe ne të jemi të qartë çfarë do të bëjmë për të ardhmen”.

Një temë e nxehtë këto ditët e fundit kanë qenë zërat për aleancë në këto javët e fundit që mund të favorizojnë njërën apo tjetrën në Superiore dhe Josa ka një mendim të prerë kundër.

“Aleancat? Kam qenë vetë në këto pozita përpara disa kampionateve. Mua më intereson serioziteti i lojtarëve të mi. Serioziteti individual i lojtarëve do të sjellë seriozitetin e skuadrës për sa i përket ndeshjeve në vazhdim. Nuk shikojmë nëse do i bëjmë keq një skuadre, apo mirë një skuadre tjetër. Nëse mendojmë kështu, atëherë nuk ka asnjë shenjë motivimi të futbollistëve në vazhdimësi. Nuk bëhet fjalë e nuk diskutohet impenjimi, çdo lojtar do tregohet profesionist dhe do të japë maksimumin. Duhet të tregojë mundësitë e veta që ka për të luajtur futboll, mundësitë e veta që ka për të qenë pjesë e kësaj skuadre në vazhdimësi”.

Në fund Mirel Josa e pranoi se të gjithë janë në provë te Kukësi dhe që të gjithë duhet të japin maksimumin në ndeshjet e mbetura për të arritur objektivin e sa më shumë fitoreve për javët që kanë mbetur.