Nga 3 Maji, e gjithë Bundesliga në izolim
Vitin e kaluar Bundesliga ishte kampionati i parë që rinisi në Europë për të mbyllur sezonin dhe qeveria gjermane kishte vendosur masa shumë të rrepta kundër koronavirusit.
Tani në fund të sezonit aktual, në Gjermani janë shumë klube të prekura nga Covid-19, sidomos në kategorinë e dytë ku shumë ndeshje po shtyhen teksa në elitë, Hertha Berlin është karantinuar e gjitha për shkak të 4 rasteve në skuadër ndërsa 3 ndeshjet e saj janë shtyrë në kampionat.
Duke parë një rritje të tillë të frikshme të numrave të cilat mund të vënë në rrezik, Federata Gjermane e Futbollit ka vendosur që të gjitha skuadrat e Bundesligës dhe Bundesliga II të karantinohen duke nisur nga 3 maji për 2 javë në mënyrë që sezoni të përfundojë rregullisht dhe pa shtyrje që mund të hedhin në erë gjithçka.
Siç bëhet e ditur, skuadrat me lojtarët, trajnerët dhe stafet 24 orë përpara izolimit duhet të bëjnë teste molekulare dhe me një rezultat negativ të gjithë mund të qëndrojnë në karantinim.
Skuadrat duhet të izolohen në Hotele ose në qendrat stërvitore dhe nuk do të kenë kontakte me jashtë, dhe kjo shihet si e vetmja mënyrë që ndeshjet e fundit të mbetura në dy kategoritë më të rëndësishme të futbollit, të mbyllen të qeta dhe pa infektime.
