Myrto Uzuni në radarët e Olympiacos, çmimi tremb grekët

Myrto Uzuni është lojtari më produktiv dhe më i vlefshëm shqiptar për këtë sezon në Europë. Sulmuesi kuqezi po bën një sezon të shkëlqyer ku deri tani ka shënuar 12 gola e ka dhënë 6 asiste në 26 ndeshje në kampionat dhe 3 gola të tjerë në Europë. Numra të tillë kanë rënë në sytë e Olympiacos ku një nga gazetat prestigjoze greke vuri në faqe të parë foton e sulmuesit shqiptar i cili kërkohet nga kampionët e Greqisë. Në shtypin helen bëjnë të ditur se ka patur bisedime dhe një interesim për kartonin e sulmuesit të Ferencvaros ku zbulohet se kampionët e freskët të Hungarisë i kanë kërkuar 4 mln Euro për ta lënë të lire në verë.

Myrto Uzuni në radarët e Olympiacos, çmimi tremb grekët

Një shumë e tillë konsiderohet e lartë nga Olympiacos teksa Ferenvarosi e bleu për 1.8 mln Euro futbollistin shqiptar një vit më parë nga Lokomotiva e Zagrebit. Vlera 4 mln euro nuk është pak po të bësh një vlerësim të moshës, potencialit dhe produktivitetit të sulmuesit i cili shënon rregullisht ngado që shkon por për një kohë pandemie duket se për Olympiacos çmimi është i lartë.

Gjithsesi në Hungari flasin për një situate ndryshe pasi shtypit vendas nuk u rezulton të ketë patur bisedime direkte me Ferencvaros për transferimin e sulmuesit e aq më pak një ofertë zyrtare për ta. Edhe pse ka raportime dhe mohime, e sigurtë është që diçka po lëviz dhe për Uzunin hapi i madh i karrierës nuk do të vonojë.