Kupa e Gjermanisë pa tifozë por Euro 2020 me dyer të hapura

Gjermania po përballet me një situatë të rënduar nga koronavirusi ku shumë ekipe kanë njoftuar për lojtarë të infektuar, gjë që nuk kishte ndodhur më parë në Bundesliga apo Bundesliga II.

Federata gjermane ndërmori masa të forta duke i lënë të izoluar skuadrat ndërsa tani edhe qeveria e Merkel konfirmoi se Kupa e Gjermanisë, finalja më saktë më 13 Maj nuk do të ketë tifozë të pranishëm në stadium.

Një goditje kjo për tifozët, sidomos të Leipzig dhe Dortmund të cilët janë në gjysmëfinale dhe shpresonin që me kalimin në finale të festonin trofeun e mundshëm përpara fansave të tyre.

Lajmi i mire 

Gjithsesi qeveria gjermane ka një lajm të mirë për futbolldashësit pasi dha miratimin për zhvillimin e ndeshjeve të Euro 2020 në "Allianz Arena" me tifozë. Siç bëhet e ditur, maksimalisht do të lejohen afro 14.500 persona në impiantin ku luan Bayern Munchen në ndeshjet e grupit të Gjermanisë në Kampionatin Europian.

Një vendim i tillë shpëton edhe organizimin e eventit madhor të verës për qytetin bavarez të Mynihut pasi UEFA do ta hiqte nga pritja e ndeshjeve nëse nuk do të lejoheshin tifozë në impiant.