Tifozët bllokojnë stërvitjen e Man. United, Solskjaer bën negociatorin

Tërheqja e Man. United nga SuperLiga duket se nuk ka mjaftuar për tifozët e skuadrës angleze të cilët kanë organizuar një proteste e cila nuk ishte dhe aq e qetë.

Ditën e sotme, dhjetëra ultras të “Djajëve të kuq”, rreth ores 9 të mëngjesit bllokuan hyrjen e qendrës stërvitore të klubit në “Carrington” në shenjë proteste kundër familjes Glazer për aderimin e klubit në SuperLigën e Europës.

Forcat Security të klubit nuk kanë ndërhyrë për të mos tensionuar më shumë situatën dhe siç raportohet ka qenë trajneri Solskjaer ai i cili është detyruar të dale dhe të bisedojë me protestuesit i ndihmuar edhe nga mesfushori Matiç dhe ndihmësit, Michael Carrick dhe Dan Fletcher.

Mësohet se tifozët i kanë kërkuar llogari trajneri se përse nuk mbajti qëndrim kundër SuperLigës ndërsa më tepër inatin e tyre e kanë me pronarin amerikan, familjen Glazer e cila vendosi gjithçka pa pyetur tifozët. Këta të fundit kërkojnë largimin e tyre dhe shitjen e klubit dhe prej kohësh kanë një raport jo të mirë me familjen miliardere Glazer.

E gjithë kjo situate e tensionuar ka zgjatur më shumë se 30 minuta dhe ndërhyrja e policisë detyroi edhe tifozët të tërhiqen ndërsa zemërimi i tyre vijon ndaj familjes Glazer edhe pse kërkuan ndjesë përmes një letre për aderimin në projektin e SuperLigës.