Ikën pronari, klubi prestigjoz francez drejt falimentimit
Në Francë, një nga klubet më me emër të futbollit elitar, Bordeaux është në rrezik falimentimi. Erdhi si një rrufe në qiell për tifozët lajmi se aksionari kryesor, amerikanët e King Street u tërhoqën nga impenjimi i tyre duke lënë në mëshirë të fatit skuadrën e cila në fakt po lufton në fushë edhe për të qëndruar në Ligue 1.
Sipas "L'Equipe", tashmë Bordeaux po përjeton një makth të madh teksa klubi është vënë nën mbrojtjen e Gjykatës dhe po kërkon dëshpërimisht blerës për të marrë klubin në dorë.
Ndërkohë dy ish lojtarë legjendarë të kësaj skuadre, si Christophe Dugarry dhe Bixente Lizarazu shprehën keqardhjen për një situatë të tillë duke bërë fajtor fondin amerikan të investimeve që la impenjimin në mes dhe klubin në mëshirë të fatit.
Sipas shtypit francez, dy kandidatë kanë dalë përpara dhe janë gati të bëjnë një ofertë për klubin ndërsa në një komunikatë të Bordeux, thuhet se tani duhet kthyer faqe dhe se ata që do të duan të blejnë aksionet duhet të kenë një projekt me dashuri për futbollin dhe tifozët.
