UEFA nuk ndërrmerr masa ndaj rebelëve të SuperLigës
Pritej me kërshëri mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ku krahas vendimeve të rëndësishme për Kampionatin Europian të Futbollit do të kishte edhe një qëndrim të fortë ndaj SuperLigës dhe 12 klubeve rebele.
Evokohej nga shumë klube apo tifozë që Ceferin dhe Komiteti Ekzekutiv të përdornin dorën e hekurt me masa të forta, në veçanti për Real Madrid, Man. City dhe Chelsea të cilët janë aktualisht në gjysmëfinalen e Champions League dhe në fakt nuk pati asnjë vendim apo përjashtim të menjëhershëm.
E gjithë vëmendja e përqëndruar në eventin madhor Euro 2020 që zhvillohet këtë vit në disa qytete, ku dy u hoqen nga organizimi dhe 2 të tjera u shtuan e megjithatë çështja e SuperLigës nuk ka marrë fund. Me Perez dhe Laporta që duan të bisedojnë për një formulë të saktë të organizimit duket se UEFA do të shikojë në zhvillim ngjarjet dhe e mbyll për momentin me vetëm një paralajmërim, do të monitorojmë çdo tentativë të klubeve për ta krijuar SuperLigën.
Mësohet se bisedimet "nën rrogoz" vijojnë mes palëve për të riparuar raportet e thyera ndërsa UEFA do të tentojë të plotësojë kërkesat e klubeve të mëdha që kryesisht janë të karakterit ekonomik. Por për të shamngur një herë të dytë siç ndodhi të dielën e kaluar, mund të krijohen disa klauzola që do të ndëshkonin në të ardhmen çdo klub që vendos të largohet nga kompeticionet e organizuara nga UEFA.
