Zyrtare, Bilbao e Dublini hiqen nga harta e Euro 2020

Në pamundësi për të lejuar tifozë në Kampionatin Europian të Futbollit që starton në Qershor, Bilbao dhe Dublini nuk do të presin ndeshjet e shumëpritura. Ky është vendimi i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, por i paraprirë nga ish sulmuesi polak Boniek.

Boniek që është edhe Zv.presidenti i UEFA-s, konfirmoi zyrtarisht se dy qytetet largohen nga harta dhe do të zëvendësohen respektivisht, Bilbao me Sevillan ndërsa Dublini me St. Petersburgun.

Këto dy qytetet e fundit, kanë garantuar që fillimisht të ketë deri në 25% të tifozëve në stadiumet përkatëse, numër që mund të rritet edhe më tej në varësi të situatës nga pandemia.

Tashmë ndeshjet e Grupit E, ku është edhe Spanja nuk do të luhen në "San Mames" por në "Cartuja" të Sevillas ndërsa sfidat e parashikuara në Dublin do të zhvendosen në Rusi në St. Peterstburg.

Shpëton padyshim Mynihu ku me vendimin e fundit të qeverisë që lejon tifozë në "Allianz Arena" do të ketë ndeshje të Euro 2020 ashtu siç ishte programuar në fillim.