Doktor Vehbiu dhe analiza filologjike e testit të prostatës

Dje, në një të përditshme shqiptare, publicisti dhe filologu Ardian Vehbiu, kishte polemizuar me një shkrim të profesor Myftar Barbullushit, të botuar para disa ditësh në gazetën “Panorama”. Shkrimi i profesor Barbullushit, me sa mbaj mend, informonte me një gjuhë të qartë publikun e gjerë për një problem thellësisht shkencor: parandalimin e kancerit të prostatës përmes testit (PSA). Jam i bindur se profesor Barbullushi nuk mund të gabojë në atë shkallë sa të futet në një polemikë shkencore mjekësore për një temë që ka të bëjë me një çështje thellësisht shkencore mjekësore me një filolog që nuk ka as njohuritë minimale për mjekësinë, si zoti Vehbiu. Vetë polemika e një filologu me një mjek për çështje shkencore është në vetvete simptomë e një sëmundjeje më të gjerë shoqërore shqiptare, prandaj do të përpiqem ta trajtoj këtë problem, që është po aq i rëndësishëm sa mosparandalimi i kancerit të prostatës. Në një debat të tillë të karakterit etik mund të marrin pjesë edhe një doktor i filologjisë si Ardian Vehbiu, edhe një doktor i shkencave mjekësore si doktor Barbullushi, edhe një doktor i shkencave të komunikimit si autori i këtij shkrimi.Fakti që një specialist i një fushe të caktuar pa asnjë lidhje me problemin nxjerr disa të dhëna nga interneti dhe rreket të ballafaqohet me një specialist të fushës shkencore që e studion këtë problem, përbën një gabim të rëndë metodik që vë në diskutim integritetin moral dhe intelektual të autorit të polemikës. Një qytetar i zakonshëm edhe mund të mendojë se nëse banon në një pallat me një mjek dhe nëse shkëmben çdo ditë biseda në ashensor me këtë mjek, mund të ketë njohje mjekësore po aq sa mjeku. I njëjti qytetar mund të mendojë se nëse vuan nga një sëmundje, mund të bëhet këshilltar i të tjerëve që kanë të njëjtën sëmundje. Por, një studiues, cilado qoftë fusha e tij studimore, nuk duhet ta bëjë kurrë një gabim të tillë. Madje do të konsiderohej një gabim i madh nga pikëpamja metodologjike nëse një mjek i zemrës do të shkruante për sëmundjet e syve, apo një mjek i lëkurës të fliste për sëmundjet e mëlçisë, përveçse në rastin kur sëmundjet e organeve të tjera lidhen me probleme të organit për të cilin janë specializuar.Ja pse polemika e zotit Vehbiu është e pakuptimtë, madje shumë e dëmshme për publikun. Sepse siç e thamë më sipër, kjo është një sëmundje shoqërore me rrënjë të thella në historinë e Shqipërisë. Këtë sëmundje Konica e karakterizonte si sëmundja e berberëve të Stambollit, të cilët meqë u qethnin kokën njerëzve me profesione të ndryshme, mendonin se mund të bënin të tyret edhe mendimet dhe dijen që ata fshihnin poshtë rrënjës së flokëve dhe fillonin të jepnin këshilla në vend të atyre që qethnin: nëse i qethuri ishte diplomat, berberi fliste si diplomat; nëse ishte kryeministër, si kryeministër; nëse ishte inxhinier, si inxhinier; nëse ishte mjek, si mjek, e kështu me radhë. Kjo sëmundje me rrënjë të thella shfaqet edhe te polemika e zotit Vehbiu. Vehbiu me njohuri dhe kontribut jo të pakët në fushën e studimeve filologjike, të konkretizuar edhe në libra me nivel si “Shqipja totalitare”, shndërrohet papritur në mjek dhe konsulent i kancerit të prostatës. Për më tepër merr përsipër të hedhë poshtë idetë shkencore të Myftar Barbullushit, autoritetit më të madh shkencor të fushës, i specializuar për një kohë të gjatë që në rininë e tij në një nga klinikat më të mira të Europës, profesor nga më të njohurit e Fakultetit të Mjekësisë dhe mjek në QSUT. Nëse kishte ndonjë gjë të diskutueshme në shkrimin e zotit Barbullushi, mund të polemizonte një profesor i fushës, por kurrë një filolog.Një doktor filologjie si Vehbiu, apo një doktor i shkencave të komunikimit si autori i këtij shkrimi, mund të analizojë formën e një shkrimi të fushave të ndryshme shkencore, por kurrë përmbajtjen e tyre. Mund të analizohet p.sh. gjuha e përdorur, aftësia komunikuese, stili etj. P.sh., nga këndvështrimi i një studiuesi të komunikimit është me rëndësi të shihet se si në këtë shkrim Barbullushi është larg shkrimit akademik, dhe mirë bën: ai me vetëdije, duke dashur të sensibilizojë publikun për nevojën e testit të kancerit të prostatës, ka kaluar në një regjistër tjetër: në shkrimin shkencor divulgativ. Pikërisht në funksion të qartësimit të idesë dhe rrezikut që vjen nga mos kontrolli i prostatës më duket se ai i ka sjellë edhe shembujt ilustrues.Në zellin e pashpjegueshëm për të përgënjeshtruar zotin Barbullushi, zoti Vehbiu ka humbur etikën e profesionit të tij si doktor i fjalës. Dhe si doktor i fjalës Vehbiu duhet të irritohet më së shumti për shpërdorimin publik të saj. Dhe polemika e tij është pikërisht një shpërdorim i tillë.P.s. E vetmja gjë me vlerë në shkrimin e Vehbiut ishte se në një ditë mund të bëhen të dyja, edhe votimi, edhe testi i prostatës. Kujdes për testin e prostatës: jo te doktor Vehbiu.Burimi : panorama.com.al