PDIU hap fushatën në Vlorë, Idrizi: Filozofia jonë, bashkimi i shqiptarëve
Nga “Sheshi i Flamurit”, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet mes mijëra pjesëmarrësve çeli fushatën elektorale në qytetin Vlorës.
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, prezantoi kandidatin për deputet të kësaj partie në Qarkun e Vlorës, njëherazi dhe deputetin aktual, zotin Dashamir Tahiri. Gjatë fjalës së tij, Idrizi falenderoi të gjithë Qarkun e Vlorës për mbështetjen e dhënë gjatë këtyre 4 viteve, mbështetje kjo që i ka dhënë më shumë forcë Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet për të vijuar më tej betejën për çështjen kombëtare dhe veçanërisht atë çame.Duke u ndalur tek programi për katër vitet e ardhshme, zoti Shpëtim Idrizi u shpreh se shtylla kryesore e programit është bashkimi kombëtar nga Preveza në Mollë të Kuqe.“Sot ne duhet të ngremë infrastrukturën e bashkimit; të krijojmë një Parlament mbarëkombëtar pavarësisht kufijëve, me deputetë nga të gjitha trojet, që të mblidhen minimalisht një herë në vit për të diskutuar çështjet e përbashkëta kombëtare. Në këtë Parlament të marrin pjesë edhe Diaspora dhe shoqata “Çamëria”. Gjithashtu duhet të nisi puna për krijimin e bashkësisë së komunave e bashkive shqipfolëse nga të gjitha trojet, përfshi këtu edhe komunat arbëreshe.” – u shpreh zoti Idrizi.Duke u ndalur tek historia, kreu i PDIU-së kujtoi se 52 vjet më parë, regjimi komunist pushkatoi pesë djem të Çamërisë dhe burgosi shumë të tjerë.“Si sot 52 vite më parë me 30 maj 1961 u pushkatuan 5 djem të Çamërisë dhe u dënuan 62 të tjerë. Ka qenë 30 dhe 31 maji i vitit 1961 që togat e pushkatimit do të zbraznin karikatorët e armëve të tyre mbi bijtë shqiptarë të nënave çame. Ishin Teme Sejko, Tahir Demi, Avdul Resuli, Ali Xhelo Arapi, Hajri Mane, që pas atij gjyqi të fund majit 1961 do të pushkatoheshin, ashtu siç nuk vriteshin as edhe kuajt e jo më njerëzit. Dhe jo vetëm këta, por edhe më pas u dënuan me pushkatim Beqo Plaku, Ilia Gjyzeli, Jorgji Cukali, Nikolla Goçi, Theodhori Veto, që u cilësuan si bashkëpunëtorë të kryetarëve të grupit dhe që ishin sajesat e mendjes antishqiptare që kërkonte të zhdukte nga faqja e dheut çdo njeri që ishte intelektual dhe që nuk ishte grek e serb. Do të ishte fatale për një pjesë tjetër të këtyre bijëve të Çamërisë që u dënuan me dënime maksimale dhe vdiqën në burgjet e Burrelit, Spaçit e gjetkë si: Sami Murati, Jonuz Purizo, Rushan Hasan Mullai, Vangjel Xhomaka, Yzeir Sollopia, Kostandin Petro Vaso, Pandeli Varezi, Kasëm Karafili, dr. Aleksandër Kalivopulli, 63 të dënuar dhe 1.250 vjet burgim, veç vrasjeve. Nderim për jetën dhe sakrificat e të parëve tanë. Por miq, më lejoni t’ju them se ne e keqja nuk na mundi: E ja ku jemi në këtë shesh më të fortë se kurrë, e dëshmi e gjallë që gjaku i tyre nuk do shkojë kot. Ne s’na mundi dot as greku e as komunizmi. E ndihemi sot më të bindur se kurrë se ne do ja dalim.” – u shpreh zoti Idrizi.Në fund të fjalës së tij, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet duke i bërë thirrje të gjithë vlonjatëve që më datë 23 qershor të votojnë numrin 50, PDIU u shpreh se Vlora, qyteti që i ka dhënë Pavarësinë Shqipërisë, do të bëhet dhe qyteti që do t’i japë një fitore spektakolare djemve të saj të Çamërisë.Nga ana e tij, kandidati për deputet i PDIU-së për Qarkun e Vlorës, zoti Dashamir Tahiri u zotua përpara banorëve të Vlorës se puna e nisur katër vite më parë, rezultatet e të cilës janë të dukshme nga të gjithë, do të vijojë me intensitet më të madh në vitet e ardhshme.
Ai u kërkoi mbështetësve që të votojnë Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në mënyrë që kjo forcë e njohur për vokacionin e saj kombëtarist, të çoj në Parlamentin e Shqipërisë 7 deputetë, të cilët do të jenë garantuesit më të mirë të mbrojtjes së interesave të kombit shqiptar.