Berisha: Rama do të vendosë në piedestral neobllokmenët

Kryeministri Berisha ka zhvilluar sot një takim elektoral në qytetin e Burrelit ku ka prezantuar edhe kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike.Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se Partia Demokratike vjen sot në rrethin e Matit me premtime të mbajtura."Sot jemi të mbledhur në këtë shesh për të nderuar para së gjithash njeri- tjetrin, për të nderuar Matin dhe Shqipërinë, sepse në një hark kohor të shkurtër, me dashurinë tonë për Matin dhe Shqipërinë, me përkushtimin tonë, me punën tonë, me djersën dhe mundin tonë, me besimin e madh dhe të pakufishëm te njëri-tjetri, te Mati, te Zoti dhe vendi ynë, ne ia dolëm që Shqipërinë e skajuar, Shqipërinë e mënjanuar, Shqipërinë e cila nuk po konsiderohej nga askush ta bëjmë anëtare të NATO-s; ia dolëm të firmosim Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit; ia dolëm të lëvizim të lirë, pa viza, në Evropë; ia dolëm të meritojmë statusin e kandidatit. Këto janë arritje historike që secili prej jush, çdo qytetar shqiptar, ka firmosur këto vite të qeverisjes së Partisë Demokratike” tha Berisha.Kryeministri Berisha nuk ka lënë pa sulmuar edhe kreun e PS-së Edi Rama dhe alternativën e opozitës e cila sipas tij është mashtrim dhe bllokim."Ne kemi ndërtuar në mbarë vendin mbi 10 mijë kilometër rrugë, kemi ndërtuar rreth 11 mijë kilometër rrugë në të katër anët e këtij vendi. Vëllezër, dëgjojeni matematikën e mashtrimit. Matematika e mashtrimit thotë se në Shqipëri janë ndërtuar dhe rindërtuar 1500 kilometra rrugë. Vetëm Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një buxhet prej 320 milionë dollarë ka ndërtuar 1520 kilometra rrugë. Por Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, i cili ndërton jo rrugët rurale, por ndërton rrugët e fshatrave dhe qyteteve tona, ka pasur një buxhet 3-herë më të madh se Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ndërsa ministria e Punëve Publike, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, përgjegjëse për ndërtimin e rrugëve kombëtare, ka pasur një buxhet 10 herë më të madh se Fondi Shqiptar i Zhvillimit.Zoti Rama pasi mësoi këto shifra, i tronditur në autobusin e tij mavi deklaroi se e shihni sa shumë para ka prishur qeveria në rrugë. Ku janë rrugët? Zotëri, autobusi yt me xhama të zinj nuk lejon të shohësh asgjë në këtë Shqipëri” tha kryeministri.Ai ka theksuar se kryesocialisti Rama kërkon të vendosë në piedestral neobllokmenët."Socialistë, demokratë, qytetarë të Matit dhe gjithë Shqipërisë shtroni vetes pyetjen se pse Edi Rama votoi kundër të gjitha rritjeve të rrogave dhe pensioneve të qytetarëve shqiptarë? Pse Edi Rama votoi kundër rrugës së kombit, rrugës së Arbrit dhe të gjitha buxheteve për rrugët e Matit, të Dibrës, të Gjirokastrës dhe mbarë Shqipërisë? Pse Edi Rama votoi kundër fondeve për internetin në çdo shkollë? Pse Edi Rama votoi kundër rrugëve që të çojnë në zonat turistike? Pse votoi kundër të gjitha ligjeve, të cilat duheshin për heqjen e vizave, duheshin për anëtarësimin në NATO, duheshin për marrjen e statusit? A është kjo alternativa e bllokimit? A e meritoni ju bllokimin? A meritoni ju të mos rriten rrogat? A meritoni ju të mos rriten pensionet? A meritoni ju të mos zgjerohen bizneset? A meritonit ju të mos ishit në NATO? A meritonit ju të mos lëviznit të lirë, pa viza? A meritonit ju t’ju mbante peng statusin e vendit kandidat për 1 vit rresht? Të gjitha këto kanë vetëm një shpjegim - ai përpiqet më çdo kusht të riktheje neobllokmenët në pushtet " tha Berisha.Berisha në Bulqizë: Do ulim moshën e daljes në pension të minatorëveNdërsa gjatë tubimit elektoral në Bulqizë, kryeministri Berisha premtoi uljen e moshës së daljes në pension të minatorëve."Gjatë këtyre viteve në Bulqizë kemi ndërtuar rreth 16 shkolla, 19 ujësjellës, kemi ndërtuar rrugë kombëtare, rrugë rurale nga Klosi deri në Trebisht në kufi me Librazhdin. Unë jam sot këtu për t`ju dhënë fjalën që Rruga e Arbërit është projekti më madhor së bashku me boshtin e jugut e cila do të inagurohet gjatë 2 viteve të para të mandatit të ardhshëm.   Ju premtoj minatorëve të Bulqizës që një nga aktet e para do të jetë mosha e pensionit deri 55 vjeç. Rrethi juaj, rrethi i Matit janë të pasura me ujëra, janë për tu ndërtuar 80 HEC-e dhe do të punësohen mbi 5 mijë qytetarë" tha Berisha.