Zhvillohet konferenca “Harmonia ndërfetare vlerë e trashëgimisë shqiptare”
Është zhvilluar sot në Tiranë konferenca me temë “Harmonia ndërfetare vlerë e trashëgimisë shqiptare”.Përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri e kanë vlerësuar harmoninë dhe bashkëjetesën fetare si një vlerë të çmuar të kombit tonë dhe si një shembull për të gjithë vendet e tjera.Kreu i komunitetit mysliman Selim Muça u shpreh se bashkëjetesa fetare ka arritur të mbijetojë edhe gjatë regjimit komunist duke u shndërruar në një vlerë për shoqërinë tonë.Populli shqiptar me besimin islam dhe të krishterë është shembull i harmonisë ndërfetare në botë dhe në Ballkan.“Modeli i shkëlqyer i harmonisë fetare përbën një aspekt pozitiv të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare dhe ai nuk ka pësuar ndryshim gjatë kohës dhe sot është shndërruar në një vlerë të çmuar identifikuese për shoqërinë dhe familjet tona. Bashkëjetesa fetare në vendin tonë është një model dhe është në dobi të politikës dhe të vlerave morale të shoqërisë” tha Selim Muça.Ndërsa kreu i shtetit Bujar Nishani nënvizoi se Shqipëria edhe pse një vend i vogël është afirmuar si një shembull i bashkëjetesës paqësore ndërmjet religjioneve pasi toleranca fetare e popullit shqiptar mbështetet në vetëdijen kombëtare dhe në faktin se shqiptarët e të gjitha besimeve janë të një gjaku, të një gjuhe, kanë origjinën, truallin dhe traditën e përbashkët.Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen ndaj të gjithë drejtuesve të klerit në Shqipëri për rolin e tyre të veçantë jo vetëm në udhëheqjen shpirtërore të besimtarëve të tyre, por mbi të gjitha për krijimin e një klime bashkëjetese, harmonie dhe mirëkuptimi si një vlerë e çmuar e Shqipërisë dhe e shqiptarit.Harmonia fetare mbetet një nga vlerat historike, kulturore dhe civilizuese, me të cilën Shqipëria krenohet dhe ka ç’t’i ofrojë popujve të tjerë të Ballkanit dhe jo vetëm.