Opozita tërhiqet nga “KQZ”, Meta: Të zbatohet kodi. Humbësi të njohë rezultatin
Opozita e bashkuar tërhiqet nga revanshi për të legjitimuar institucionin kryesor të administrimit të zgjedhjeve. Legjitim apo jo, duket se tashmë pas një “tërheqje” edhe të ndërkombëtarëve nga njëra anë dhe mosgjetja e një të mesme të artë mes dy forcave politike kryesore në vend, KQZ do të funksionojë deri në fund me 4 anëtarë. Ilir Meta, kryetar i LSI, në një dalje për mediat theksoi se me rëndësi është të zbatohet kodi si dhe të pranohet rezultati i zgjedhjeve nga pala humbëse.“Mendoj se është me rëndësi të respektohet kodi, të evitohet gjuha e denigrimit mes aktorëve politikë, të jemi në një standard më të lartë komunikimi. Janë të gjitha mundësitë që zgjedhjet të arrijnë standardet më të mira pavarësisht çështjes së KQZ. Të pranojmë rezultatin e zgjedhjeve, të respektojmë vullnetin e sovranit” deklaroi Meta.Në cilësinë e ndërmjetësit dhe iniciatorit për gjetjen e konsensusit mes dy lidervë kryesore për tre ligjet e integrimit, Meta përshëndeti votimin konsensual, ndërsa vlerësoi se me një proçes zgjedhor të drejtë Shqipëria mund të marrë statusin brenda muajit dhjetor.“Klasa politike tregoi sot një akt të përgjegjshëm ndaj vendit dhe parnerëve tanë. Do ishte mirë që ngjarje të tilla të ndodhnin më shpesh. Pa asnjë diskutim që Shqipëria është shumë afër marrjes së statusit, ka qenë minimumi i domosdosëshm. Së dyti mbetet mbarëvajtja e zgjedhjeve të 23 qershorit si një test shumë i rëndësishëm. Jam optimist që breda muajit dhjetor Shqipëria do ta marrë statusin kandidat. Fakti se ligjet morën konsensusin në kulmin e fushatës tregon se mund të gjendet konsensusi për të çështje me rëndësi kombëtare” tha ai.Ndërkaq Meta argumentoi edhe qëndrimin e LSI për aministinë fiskale, ku tha se partia e tij e mbështet absolutisht , por kjo sipas tij kërkon konsultime më të gjera me grupet e interesit.“LSI është pro një aministie fiskale për biznesin, por duhet realizuar pas konsultimeve të gjera, të mos bëhen ligje vetëm për qëllime elektorale, por një hap i menduar mire” u shpreh Meta.Deklaratat Meta i bëri pas takimit me Presidentin e “Biznes Albania”, Luan Bregasi, ku ky i fundit i dorëzoi sot kreut të LSI-së, librin e propozimeve të politikave të biznesit, që ka si qëllim përmirësimin e klimës së biznesit ne vend.
“Dua të shpreh angazhimin tonë për përmirësimin e kuadrit ligjor, me respektimin e ligjeve dhe akteve të tjera, për të konsoliduar një partneritet të ri midis qeverisë dhe sipërmarrjes. Mbi 80 % e të gjithë zhvillimit ekonomik në vend e përballon sektori privat, po ashtu edhe të punësimit. Është vendimtare për përmirësimin e ekonomisë së vendit, mbarëvajtja e biznesit, gjallërimi, nxitja e mëtejshme e biznesit dhe në këtë drejtim i konfirmova zotit Bregasi, që do vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë sepse biznesi duhet parë pa paragjykime politike.”- tha kreu i LSI-së, Meta.Ndërkaq, Bregasi falënderoi kreun e LSI-së Ilir Meta si iniciatorë të kalimit të tre ligjeve sot në parlamentin shqiptar, duke e cilësuar këtë një ditë të veçantë edhe për komunitetin e biznesit.Ai tha se mori garancinë nga zoti Meta që të gjitha këto propozime, nëse LSI do të jetë nesër në qeveri, do të jenë pjesë e një kontrate. Ndërkaq Bregasi u shpreh se ky libër do ti dorëzohet të gjitha partive politike.