Policia e Tiranës, masa për mbarëvajtjen e Maturës Shtetërore
Policia e Tiranës merr masa për mbarëvajtjen e procesit të provimeve të Maturës Shtetërore.Në një deklaratë për shtyp, policia e kryeqytetit thekson se pas kërkesës së Drejtorive Arsimore Rajonale të Qarkut të Tiranës, Zyrës Arsimore në Kavajë, janë marrë masat për ruajtjen, sigurimin e mjediseve ku do të zhvillohen Provimet e Maturës Shtetërore 2012 - 2013, si dhe gjatë transportimit të materialeve të tyre.Sipas policisë, masat të veçanta u morën për zhvillimin normal të Provimeve të Maturës Shtetërore në 4 Drejtoritë Arsimore si dhe në 40 shkolla ku do të zhvillohet provimi, ku ditën e sotme janë ruajtur dhe siguruar sipas planifikimit.Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë thekson në deklaratën e saj se ka planifikuar dhe do të ndjekë me preçedencë zhvillimin normal të Provimeve të Maturës Shtetërore 2012-2013, që do të zhvillohen në muajin qershor e korrik 2013, duke përmbushur të gjitha detyrimet e përcaktuara në lidhje me marrjen e masave për organizimin e shërbimeve, për sigurimin e rendit e të qetësisë publike, në mjediset ku u zhvilluan provimet nga Agjensia Qëndrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, në Drejtorinë Arsimore dhe Zyrat Arsimore, ku nuk u evidencua asnjë problem.