Berisha 'përplas' Ramën me të ardhurit: Për të jeni shpellarë, ta çojmë në bunkerin e harresës

Partia Demokratike çeli sot fushatën elektorale në Bashkinë e Kamzës. Kryeministri Berisha ndërsa vjen me risi për këtë zonë, duke kërkuar mbështetjen për një ish-socialist tashmë të adaptuar nën siglën blu, e ka shfrytëzuar mirë këtë moment ashtu si dhe larmishmërinë e origjinës së këtij komuniteti për ta vënë rivalin e tij politik në një “ kurs përplasje” me ta.“Alternativa tjetërëshë etiketimi juaj, njëherë si shpellarë, herë tjetër çeçenë. Urdhëro Zoti.Rama këta burra që kanë ardhur nga të katër anët kanë ndërtuar me mundin e tyre vilat, shtëpitë e bukur, qytetin më të madh të Shqipërisë. Po ju cfarë keni bërë? Një piktor i dështuar, që la Tiranën me rrugë të asfaltuara. Mbajte peng për një vit statusin kandidat. 23 qershori do të përcjellë ty në banesën e gënjeshtrës, bunkerin e harresës. Ju ftoj të gjithëve të bëjmë gjithçka, të bindim cdo qytetar për të votuar për alternativën e PD, për punësimin, mirëqënien dhe integrimin” tha Berisha.Për komunitetin dibran në këtë zonë, shefi i qeverisë ka përsëritur një zotim të dhënë për ta dhe qarkun e Dibrës.“Këto vite, ne kemi ndryshuar Shqipërinë. Ju jeni këtu nga të gjitha zonat e vendit dhe sot shkoni atje, me rrugë të reja dhe gjeni situatë krejt tjetër. Dua të garantoj këtu, komunitetin dibran, se ne që ndërtuam rrugën e kombit, ne që ndërtuam autostradën Tiranë-Elbasan, ne do të ndërtojmë rrugën e Arbrit, do të ndërtojmë Boshtin e Jugut, ne do t’i bëjmë shqiptarët me rrugët më të mira në rajon e më gjerë” garantoi ai.Ndërsa nuk nguroi ta etiketojë Kamzën si bastion të PD, Berisha premtoi shumë investime për 4 vitet që vijnë.“Mbështetja juaj ka qenë e një rëndësie të jashtëzakonshme. Sëbashku, këto vite, Kamza ka arritur ndryshime dhe zhvillime shumë pozitive. Sëbashku kemi ndërtuar e po rindërtojmë infrastrukturën më moderne, të denjë për ju, të denjë për Kamzën, shkolla, ujësjellës, kanalizime, rrugë, pallatin e kulturës, stadiumin dhe jam sot për t’u zotuar se katër vitet që vijnë do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë, çdo shesh në çdo skaj të këtij qyteti të bekuar. Së shpejti fillon ndërtimi i ujësjellësit që do të furnizojë me ujë, 24 orë, familjet tuaja. Kamza do të ketë universitetin tjetër, të vetin, për t’u shkolluar vajzat e djemtë nga Shqipëria dhe nga rajoni. Kamza është qyteti i vetëm në Shqipëri që trefishoi bizneset. Gjatë katër viteve që vijnë, në Kamzë krijohen dhjetëra mijëra vende pune. Dy parqe logjistike janë në territorin e ngjitur me të, të cilat sëbashku kërkojnë mbi 30 mijë punonjës. Katër vitet që vijnë ne do të ndërtojmë në Kamzë, një nga pallatet e sportit më modern në Shqipëri. Rruga jonë është rruga e zhvillimit të Kamzës, rruga e punësimit tuaj, rruga e rritjes së rrogave e pensioneve, e modernizimit të infrastrukturës dhe e shërbimeve të shkëlqyera për ju. Në këtë mënyrë, ne ndërtojmë Kamzën e zhvilluar, Shqipërinë e zhvilluar, Kamzën europiane, Shqipërinë europiane” theksoi Kryeministri.Në mbështetje të fushatës për Kamzën ishte edhe Kryebashkiaku Basha, i cili adresoi një lumë akuzash në drejtim të paraardhësit të tij në Bashkinë e Tiranës.“Rama e la Tiranën në një gjendje më të keqe se sa Kamza, por Kamza e ka një mik të sigurt është Sali Berisha dhe PD. Në Tiranë i thanë jo modelit të keqadministrimit, le ti themi jo edhe sot modelit që rri shtrembër e flet shtrembër. Kamza ka një pikë mbështetje të sigurtë, kryeministrin Sali Berisha. Së bashku me të, ju qyetarët e Kamzës ndërtuat shkolla, rrugë dhe stadiumin që përuruat sot. Sot Kamza ka 24 orë ujë dhe drita. Kamza sot ka nevojë për një qeveri që punon për të dhe ta zhvillojë më shumë. Sot pas një viti vonesë opozita votoi tre ligjet kusht për në BE. Sot ju zoti Kryeministër, vini këtu me skuadrën që drejtoi për 4 vite platformën për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, që ndërtoi shkollat, rrugët, qëndrat shëndetësore dhe hoqi vizat me BE”, tha Basha.Ndërsa vetë kandidati për deputet për këtë zonë, Asllan Dogjani ka shfrytëzuar këtë moment për të shfryrë dufin ndaj ish shefit të tij, ndërsa ka garantuar banorët se do të jetë zëri dhe mbështetja e tyre më e madhe në parlament.“Ai është një njeri i vogël, me maskë, njeri që spërballet dot me të vërtetën, ai diskriminon njerëzit, sdo askënd përpos vetes dhe tarafin e tij, ndërsa Berisha është një lider i vërtetë.E patë sot si komunikonte me bashkëqytetarët e Shkodrës, shkon për të biseduar dhe spranon asnjë pyetje. Ai ka vetëm një strategji dhe qëllim, marrjen e karriges së Kryeministrit duke shkelur çdo normë dhe parim. Për të zgjedhur deputetët përdori kriterin milioner, njerëz që i thonë gjithmonë po. Kandidatët që ka zgjedhur për këtë zonë nuk mund tu përfaqësojnë ju, i ka kukulla në dorën tij. Unë nuk jam milioner, jam si ju dhe do iu përfaqësoj. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kamzës, Bathores, Paskuqanit të votojnë për PD dhe Sali Berishën për projektin e punësimit, mirëqënies dhe integrimit” deklaroi Dogjani.